Thursday, April 16, 2026
HomeLajmeKosovëBE-ja nis parafinancim 61.8 milionë euro për Kosovën

BE-ja nis parafinancim 61.8 milionë euro për Kosovën

Bashkimi Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Republika e Kosovës, në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Ky zhvillim vjen pas ratifikimit të marrëveshjeve përkatëse në Kuvendin e Kosovës dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria e Kosovës, duke mundësuar aktivizimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje dhe nisjen e disbursimit të fondeve, njofton Zyra e Kryeministrit.

Parafinancimi prej 61.8 milionë eurosh përbën 7% të shumës totale prej 882.6 milionë eurosh, që përfshijnë grante dhe kredi të favorshme të dedikuara për Kosovën deri në fund të vitit 2027. Këto mjete janë pjesë e Planit për Rritje Ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe synojnë përshpejtimin e reformave dhe afrimin e ekonomive të rajonit me tregun e përbashkët evropian.

Sipas njoftimit, fondet do të përdoren për zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës, si dhe për financimin e projekteve kyçe infrastrukturore të mbështetura nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Fushat kryesore të mbështetjes përfshijnë sundimin e ligjit, qeverisjen, zhvillimin ekonomik, tranzicionin digjital dhe atë të gjelbër, si dhe forcimin e kapitalit njerëzor.

Autoritetet theksojnë se pagesat e ardhshme do të jenë të lidhura drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të dakorduara. Në total, Kosova është zotuar të realizojë 111 hapa reformash, ku secili hap lidhet me një mbështetje të caktuar financiare.

Po ashtu bëhet e ditur se deri më 30 qershor 2026 pritet përmbushja e 13 hapave të parë të reformave, me vlerë rreth 90.8 milionë euro, ndërsa deri në fund të këtij viti pritet përmbushja e 27 hapave të tjerë me vlerë rreth 165.9 milionë euro.

Bashkimi Evropian në Kosovë vlerëson se ky plan përfaqëson një mbështetje të rëndësishme për procesin e reformave dhe integrimin evropian të vendit, ndërsa nga ana e Qeverisë së Kosovës është theksuar përkushtimi për zbatimin në kohë të agjendës së reformave dhe shfrytëzimin e plotë të mundësive financiare të ofruara.

Sipas palëve, ky mekanizëm financimi synon jo vetëm mbështetje buxhetore, por edhe nxitjen e reformave strukturore që rrisin stabilitetin ekonomik dhe përshpejtojnë procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments