Sot, në Prekaz të Epërm është bërë rivarrimi i Sinan Dautit, i cili ishte vetëm 9 vjeç kur në prill të vitit 1999 u plagos rëndë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Pas plagosjes, ai ndërroi jetë dy ditë më vonë në Mitrovicë, ndërsa për vite me radhë familja nuk kishte asnjë informacion për fatin dhe vendndodhjen e tij.
Mbetjet mortore të tij janë gjetur në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë dhe janë identifikuar së fundmi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, pas një procesi të gjatë kërkimi nga institucionet përgjegjëse dhe me përkrahjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Rivarrimi është bërë sipas kërkesës së familjes, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Komunës së Skenderajt.

