Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, duke theksuar se pavarësisht gatishmërisë për të mbështetur një kandidat konsensual pa kushte për bashkëqeverisje, mungesa e vullnetit politik nga pushteti aktual ka pamundësuar zhbllokimin e situatës.
Kjo është bërë e ditur në Deklaratën Politike të miratuar sot nga Këshilli Drejtues i PDK-së, në një mbledhje ku janë diskutuar zhvillimet politike në vend, gjendja ekonomike dhe procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në deklaratë, PDK ka vlerësuar se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale, të shkaktuara sipas saj nga shumica parlamentare, duke paralajmëruar se kjo gjendje po dëmton funksionimin demokratik të shtetit.
Po ashtu, partia ka shprehur shqetësim për përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesës, duke kërkuar masa urgjente për mbështetje të qytetarëve.
Në lidhje me procesin në Hagë, PDK ka kërkuar vendim të drejtë dhe të paanshëm, duke riafirmuar bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe pastërtinë e luftës çlirimtare.
Në deklaratë është ritheksuar edhe orientimi euroatlantik i partisë, forcimi i partneritetit me aleatët strategjikë, si dhe mbajtja e zgjedhjeve të brendshme partiake gjatë vitit 2026.

