Monday, April 20, 2026
HomeLajmeKosovëKosova rrezikon humbjen e mbi 68 milionë eurove nga Plani i Rritjes

Kosova rrezikon humbjen e mbi 68 milionë eurove nga Plani i Rritjes

Tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor rrezikon sivjet të humbë kolektivisht mbi 700 milionë euro për shkak të mospërmbushjes së procesit reformues të domosdoshëm në kuadër të Planit të Rritjes.

Komisionarja evropiane për zgjerim tërhoqi vërejtjen se afatet po rrjedhin dhe mjetet financiare janë në rrezik serioz.

“Javën e kaluar u shkrova autoriteteve në rajon që të përshpejtojnë reformat e tyre, përndryshe qytetarët e tyre do të humbasin. Plani i Rritjes është rreptësisht i bazuar në performancë dhe i kufizuar në kohë. Aktualisht, më shumë se 700 milionë euro rrezikojnë të humbasin përgjithmonë në të gjithë rajonin nëse reformat nuk përfundojnë deri në qershor 2026 ose dhjetor 2026”, deklaroi Marta Kos. 

Sipas disa përllogaritjeve, Kosova rrezikon të humbasë mbi 68 milionë euro. Vetëm javën e kaluar, vendi mori mjete parafinancimi nga paketa evropiane për rritje, por qershori është afati i parë dhe dhjetori i fundit për këtë vit, kur duhet të përmbushen reformat e parapërcaktuara.

Kosova, ndërkohë, është i vetmi vend që Marta Kos ende nuk e ka vizituar. Lidhur me këtë, ajo u prononcua gjatë një debati në Parlamentin Evropian.

“Unë kisha një datë të caktuar për vizitë. Për shkak të ndryshimeve politike, ne e kemi shtyrë misionin tim në Kosovë dhe shpresoj që sapo situata të sqarohet, do të jem atje. Jam në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin Kurti, veçanërisht për shkak të masave të hequra kundër Kosovës. E gjithë kjo ka ndodhur edhe në kohën kur unë nuk isha atje, por u kujdesa që tre paketa masash të hiqeshin që nga mesi i vitit 2025, me një shumë totale prej mbi 400 milionë euro”, theksoi Komisionarja evropiane për zgjerim.

Marta Kos porositi se presin që Kosova të vazhdojë me reformat e nevojshme për të përfituar nga mbështetja e Bashkimit Evropian.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram