Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës njëherësh edhe kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke theksuar nevojën për vazhdim të agjendës legjislative dhe reforma të rëndësishme.
“Së pari, mendoj që nuk është mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme… kemi shumë punë para vetës, shumë reforma që duhet të shtyhen përpara”, ka thënë Haxhiu, duke përmendur edhe agjendën me rreth 174 projektligje.
Ajo ka bërë thirrje që grupet parlamentare të angazhohen për marrëveshje politike rreth çështjes së presidentit, duke shtuar se është e rëndësishme të dëshmohet “vullnet, seriozitet dhe përkushtim maksimal” për tejkalimin e sfidave politike në vend.
“Ka qenë shumë e rëndësishme që të dëshmohet vullnet, gatishmëri, seriozitet dhe përkushtim maksimal që ta tejkalojmë këtë sfidë që e kemi para vetës, për faktin që vitin e kaluar kemi humbur shumë me mos-konstituim të Kuvendit, pastaj me mos votim e qeverisë, edhe me mos votimin e kryeministrit Kurti, e edhe të kandidatit tjetër, zotit Konjufca. Besoj që gjatë këtyre ditëve të ketë sërish takime”, tha Haxhiu.

