Wednesday, April 22, 2026
HomeLajmeKosovëPërurohet Klinika e Kardiologjisë, Kurti: Rritet cilësia dhe kapacitetet

Përurohet Klinika e Kardiologjisë, Kurti: Rritet cilësia dhe kapacitetet

Është përuruar Klinika e rinovuar e Kardiologjisë në QKUK, investim që synon rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimeve për pacientët me sëmundje kardiovaskulare. Në përurimin e këtij projekti kanë qenë të pranishëm kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky projekt, me vlerë rreth 1.5 milionë euro, përfshin modernizimin e hapësirave, pajisjen me teknologji bashkëkohore dhe përmirësime të rëndësishme infrastrukturore.

“Një hapësirë prej rreth 400 metrash katror është transferuar sipas standardeve modern spitalore, duke krijuar kushte më të mire për mjekët, specialistët, infermierët dhe mbi të gjitha kushte më dinjitoze për shërim të plotë e më të shpejtë për pacientët tanë”, tha Kurti.

Sipas tij me funksionalizimin e laboratorit të kardiologjisë invazive dhe vendosjen e angiografit të ri, pritet të rritet ndjeshëm numri i ndërhyrjeve.

“Nga mbi 4 mijë ndërhyrje në vit siç ka qenë deri më tani, synimet janë që të arrihet kapaciteti deri në 8 mijë ndërhyrje në vit. Natyrisht ne urojmë që të mos kemi nevojë, por nëse kemi nevojë do të kemi kapacitete. Përveç kësaj do të zvogëlohen edhe listat e pritjes. Investimi përfshin edhe përmirësime të rëndësishme infrastrukturore, instalimin e klimatizimit qendror, pastrimin e ajrit e filtrat dhe pajisja e dhomave me banjo brenda, duke ngritur standardin e trajtimit dhe mirëqenies për pacientët”, shtoi Kurti.

Ai shprehu mirënjohje të thellë dhe falënderim të veçantë për qeverinë dhe popullin e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit shëndetësor dhe vendit tonë në përgjithësi.

Ai tha se më 8 prill ka filluar edhe transformimi i njësisë gjysmëintensive kardiologjie, gjë që sipas tij, dëshmon përkushtimin e qeverisë për transferimin e plotë të secilës klinikë dhe secilit spital rajonal dhe rrjedhimisht të sistemit të shëndetësisë publike në përgjithësi. Kurti Falënderoi edhe mjekët dhe stafin për punën e jashtëzakonshme në trajtimin dhe shërimin e pacientëve.

Ndërkaq, ambasadori Dietz tha se ky projekt shënon një hap të rëndësishëm përpara në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor dhe të sigurt në Kosovë.

“Problemi ka qenë i njohur prej kohësh. Sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë rreth 35% të vdekjeve në nivel botëror dhe situata në Kosovë është shumë e ngjashme. Në të kaluarën, pacientët këtu përballeshin me lista të gjata pritjeje për të marrë trajtimin e duhur. Ne reaguam shpejt. Ne ishim këtu së bashku me kryeministrin në muajin gusht, kur filloi renovimi i këtij spitali. Dua të përgëzoj Agjencinë për Zhvillim të Luksemburgut (LuxDev) për këtë punë të shkëlqyer. Renovimi u përfundua në nëntor dhe, që nga ajo kohë, mbi 1,000 pacientë janë trajtuar tashmë. Sot, ky investim po shpëton jetë. Por nuk bëhet fjalë vetëm për pajisje – është po aq e rëndësishme edhe ofrimi i trajnimit të duhur për mjekët”, tha Dietz.

Ai tha se është krenar për bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet Qendrës Klinike Universitare dhe Departamentit të Kardiologjisë, së bashku me Institutin e Kardiologjisë të Luksemburgut.

“Ky partneritet filloi me trajnime në Luksemburg dhe tani po vazhdon këtu në Prishtinë. Luksemburgu mbetet i përkushtuar për të investuar në aftësitë mjekësore dhe infrastrukturë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet në fushën e sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundjeve jo-ngjitëse, përfshirë goditjen në tru, si dhe të forcojmë edukimin mjekësor përmes pajisjeve të avancuara teknologjike për mjekët e rinj. Gjithashtu, dua të falënderoj Ministrinë për bashkëpunimin e ngushtë”, shtoi Dietz.

Ai tha se ky partneritet ndërmjet Luksemburgut dhe Kosovës tregon se “kur i harmonizojmë vizionet dhe prioritetet tona, mund të arrijmë rezultate konkrete shumë shpejt – veçanërisht në një sektor kaq jetik siç është shëndetësia”.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram