Friday, April 24, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Engel donte për ne, atë që ne duam për vete

Kurti: Engel donte për ne, atë që ne duam për vete

Kryeministri, Albin Kurti, me një citat të kongresistit të ndjerë amerikan, Eliot Engel, nga fjalimi i tij i 10 shkurtit 1999, në takimin e Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ka nisur fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, në seancën përkujtuese për kongresistin amerikan.

“Unë besoj që zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësia. Më lejoni të iu tregoj se i them Kosova,  sepse 90 për qind e njerëzve që jetojnë aty i thonë Kosova, prandaj po e përdorë a-në. Pavarësia dhe vetëvendosja është e vetmja zgjidhje afatgjate. Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të trajtohen drejt nën Serbi dhe kjo është dyshuar sa e sa herë. Mendoj se politika jonë është mjaft e mangët, sepse për aq kohë sa e shohim Millosheviqin si pjesë të zgjidhjes pa e kuptuar se ai është problemi e jo zgjidhja, me çfarëdo që ne dalim e që e përfshinë atë, është e destinuar të dështojë”.

Kryeministri Kurti këtë qëndrim të kongresistit amerikan e quajti të prerë e të guximshëm, që, sipas tij,  krahas historisë, njihte realitetin, nevojat e kohës dhe përfaqësonte një vizion të kthjellët e largpamës.

“Atë kohë në SHBA po diskutohej për dërgimin e forcave tokësore në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s,  si përgjigje ndaj krimeve të tmerrshme, spastrimit etnik e gjenocidit që Serbia po kryente ndaj shqiptarëve”, tha Kurti.

Kurti tha se, Engel, miku dhe mbështetësi i madh i shqiptarëve në përgjithësi, dhe i Kosovës në veçanti, nuk hezitoi të ngriste zërin në mbrojtje të të drejtave të njeriut e të pozicionohet në anën e drejt të historisë, për më tepër, tha kryeministri, ai evokoi dhe u angazhua pa u kursyer që të drejtët të triumfojnë.

“Kur erdhi në Prishtinë me rastin e hapjes së Zyrës Informuese të SHBA-së në qershor të vitit 1996, e cilësoi atë si Ambasadën e parë të qytetarëve amerikan në Kosovë, duke u shprehur i bindur se një ditë do të ketë një Republikë të Kosovës. Këtë e tregoi vetë më 4 korrik 2019 në ditën kur preu shiritin e Ambasadës së re të SHBA-së në Kosovën e lirë e të pavarur”, deklaroi Kurti.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, kjo bindje e shprehur tri dekada më parë, kur Kosovës i mungonin zëra si Engel, është dëshmi që përveçse rrethanat politike, ai njihte të drejtën historike të shqiptarëve të Kosovës për të pasur një shtet.

“Ai nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij duke e ngritur dhe duke evokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane.  Në shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë, në këtë foltore, në Kuvendin e shtetit të cilin kongresisti Engel ishte i bindur se do të bëhej, ai tha: ‘Dua ta shoh Kosovën e njohur nga secili shtet në botë, dua ta shoh Kosovën në BE, në NATO dhe në Kombet e Bashkuara’. Pra ai donte për ne, atë që duam për vete”, tha Kurti ndër të tjera, gjatë fjalimit të tij në seancën përkujtuese për kongresistin Engel.

Kryeministri tha se vdekja e tij është humbje e madhe, por kujtimi e trashëgimia e tij do të jetojnë përherë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram