Një ushtar i forcave speciale amerikane që mori pjesë në operacionin ushtarak për kapjen e Nicolas Maduros është arrestuar, pasi dyshohet se ka fituar qindra mijëra dollarë duke vënë bast për largimin e ish-liderit venezuelian përpara se ky informacion të bëhej publik.Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj Gannon Ken Van Dyke pasi dyshohet se ai ka kryer transaksione në Polymarket, një platformë kriptomonedhash, duke përdorur informacione konfidenciale.
Van Dyke, një ushtar në detyrë aktive i Ushtrisë Amerikane që shërbente në Fort Bragg, Karolina e Veriut, fitoi më shumë se 409,000 dollarë falë basteve të tij.
“I pandehuri dyshohet se ka shkelur besimin që i ka dhënë qeveria e Shteteve të Bashkuara duke përdorur informacion të klasifikuar në lidhje me një operacion të ndjeshëm ushtarak për të rrezikuar kohën dhe rezultatin e atij operacioni vetëm për qëllim fitimi”, tha Prokurori i SHBA-së Jay Clayton i Distriktit Jugor të Nju Jorkut. “Ky është një rast i qartë i tregtimit të brendshëm, i cili është i paligjshëm sipas ligjit federal.”
Forcat amerikane rrëmbyen Maduron dhe gruan e tij Celia Flores nga rezidenca e tyre në Karakas në një bastisje nate më 3 janar, duke i çuar ata në Nju Jork ku mbeten të burgosur.Van Dyke dyshohet se vuri bast për kohën dhe rezultatin e operacionit, të njohur si “Operacioni Absolute Resolve “, ” për qëllimin e vetëm të fitimit “, tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë të lëshuar të enjten.
Sipas të njëjtës deklaratë, më 26 dhjetor 2025, Van Dyke krijoi një llogari në Polymarket dhe filloi të kryente transaksione që lidheshin me Maduron dhe Venezuelën. Ai akuzohet se ka vendosur baste me vlerë totale mbi 33,000 dollarë, ndërsa zotëronte informacione të klasifikuara dhe jopublike që lidheshin me “Operacionin Absolute Resolve”.
Ai tani akuzohet për përdorim të paligjshëm të informacionit konfidencial qeveritar për përfitime personale, vjedhje të informacionit jo-publik qeveritar, mashtrim dhe pastrim të paligjshëm parash, sipas aktakuzës së bërë publike dje.
Tregjet e parashikimit ofrojnë mundësinë për të vënë bast në një gamë të gjerë rezultatesh ekonomike, politike dhe sportive. Ato bien nën kuadrin rregullator të ligjit amerikan, por Polymarket operon gjithashtu një platformë jashtë vendit që u lejon investitorëve të vënë bast në një gamë më të gjerë kontratash.
“Kur identifikuam një përdorues që po tregtonte me informacione konfidenciale qeveritare, ia referuam çështjen Departamentit të Drejtësisë dhe bashkëpunuam në hetimin e tyre”, tha Polymarket në një deklaratë.
Kompania shtoi: “Tregtia e brendshme nuk ka vend në Polymarket. Arrestimi i sotëm vërteton se sistemi funksionon.”
Burimi: BBC, WSJ

