Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ka pranuar informacione dhe një video-incizim mbi bazën e të cilave ekzistojnë dyshime për ndotje të ajrit të shkaktuar nga tymi që del nga oxhaku i Korporatës Energjetike të Kosovës në Komunën e Obiliqit.
Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të verifikimit të pretendimeve dhe sigurimit të provave relevante.
“Rasti po trajtohet në drejtim të veprës penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’, sipas nenit 338 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e mjedisit dhe garanton se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.

