Nga shporta bazë e konsumatorit deri te faturat e rrymës, ujit e mbeturinave, çmimet kanë shënuar ngritje.
Si ndërhyrje në përballjen me inflacionin, qeveria e Kosovës pati premtuar pakon 200 milionëshe për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Zbatimi i saj ka mbetur i bllokuar në Kuvend. As të shtunën kjo pako nuk arriti të kalojë pasi ekzekutivi synoi ta shqyrtojë me procedura të përshpejtuara e opozita nuk e mbështeti.
Por çfarë parasheh kjo pako? 200 milionë euro është paraparë të ndahen në mbështetje financiare për familjet me të ardhura të ulëta, mbështetje për studentët, pensionistët, fëmijët e punëtorët e sektorit privat.
Një pjesë e buxhetit do të shkojë për mbështetje të transportit urban dhe ndërurban, subvencione për tarifat e energjisë elektrike, buxhet për përballim të çmimeve të naftës, mbështetje për bizneset, si dhe buxhet për ruajtje të stabilitetit social.
Njohës të ekonomisë thonë se nëse qeveria nuk ndërmerr masa, pasojat e rritjes së inflacionit mund të jenë të mëdha.
“Pothuajse tash 7% ka arritur inflacioni dhe shumë shpejt do të mund të arrihet dyshifrori, që neve në ekonomi e quajmë si inflacioni galopant ose përbindësh dhe kjo përbin ekonominë pothuajse në tërësi dhe është rrezik permanent dhe i vazhdueshëm e shumë serioz për ta ‘kafshuar’ të gjithë standardin e qytetarëve në këtë konstelacion sepse masat nëse nuk ndërmerren dhe nëse nuk ndërmerret ndonjë hap eventual dhe shumë domethënës i qeverisë për ndaljen e, respektivisht, reduktimin ose zbutjen e inflacionit, atëherë natyrisht që pasojat do të jenë shumë të papërballueshme për popullatën”, tha Nagip Skenderi, profesor i ekonomisë në UP.
“Ne si vend nuk po arrijmë të kemi një përgjigje adekuate në kohë për të mbajtur ekonominë të qëndrueshme dhe pa efekte të jashtme”, tha Fidan Qerimi, njohës i ekonomisë.
Pakoja e qeverisë për përballje me inflacionin është e lidhur me rishikimin e buxhetit të këtij viti. Mosmarrëveshjet mes ligjvënësve për miratimin e pakos kanë lënë pezull realizimin e këtij fondi, e derisa në mars të 2025-s inflacioni ishte 1.5 për qind, në muajin e njëjtë të 2026-s ka shkuar në 6.7 për qind.

