Me temën rëndësia e luftës së UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut në Drenoc, më 26 prill 1998, është shndërruar në një dokument shkencor të përuruar sot në përvjetorin e daljes publike të UÇK-së në këtë zonë.
“Me qëllim të dokumentimit dhe të ofrimit të një pamjeje më të qartë të kësaj lufte, në këtë tryezë shkencore u paraqitën disa kumtesa nga personalitete të botës akademike dhe ushtarake shqiptare. Argumentet historike të paraqitura prekin edhe dimensionin shkencor, ngaqë një luftë e përmasave të tilla nuk mund të mos ketë edhe komponentin shkencor luftarak-taktik brenda vetes”, tha Qemail Krasniqi, kryeredaktor i librit.
“Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, këtu në Drenoc, ishte një nga ato ngjarje që i dhanë drejtim historisë. E gjithë Anadrinia u mobilizua dhe entuziazmi ishte i madh. Pleq dhe plaka me lot në sy i shihnin bijtë e bijat e tyre me armë në krah, të gatshëm për sakrificë e flijim për liri. Ishte dita e shumëpritur”, tha Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit.
Një këndvështrim mbi librin u dha edhe nga profesori Fatmir Arifi.
“Ky vëllim, me akte studimore, përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e historiografisë së luftës çlirimtare të Kosovës, duke ofruar një analizë të thelluar, të shumanshme dhe të mirëstrukturuar të zhvillimeve politike, ushtarake dhe shoqërore të viteve ’90-ta”, tha ai.
Për këtë datë të rëndësishme foli dhe ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
“Pas daljes publike të UÇK-së në Prekaz, Llaushë, Morinë e Dukagjin, ka qenë shumë e rëndësishme me u zgjeru lufta shpejt. Pra mos me u vonu shumë, sepse po të vonoheshim, po mos të ndodhte Drenoci e po mos të zgjerohej lufta, ata do të na lokalizonin, do të na rrethonin, më lehtë do ta kishin me ne”, tha Haradinaj.
Më 26 prill të vitit 1998, djemtë dhe bijat e Anadrinisë dolën publikisht kundër okupatorit serb në Drenoc.

