Monday, April 27, 2026
HomeLajmeKosovë27 vjet nga Meja, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj 53 personave

27 vjet nga Meja, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj 53 personave

27 vjet më parë, forcat serbe kryen masakrën në Mejë të Gjakovës, ku u vranë 376 persona. Pas rrethimit të zonës, u kryen ekzekutime masive, pa kursyer as djemtë 15 vjeçar e deri te burrat mbi 60 vjeç, të cilët u grumbulluan dhe më pas u ekzekutuan.

Dëshmitarët pohojnë se atë ditë asnjëri nga të ndaluarit nuk arriti të mbijetojë. Disa nga trupat u gjetën më vonë në varreza masive në Kosovë, ndërsa për të tjerët ende nuk dihet fati, me dyshime se ndodhen në territorin e Serbisë.

Për t’i fshehur gjurmët e krimit, trupat u zhvendosën në varreza masive në Serbi, si në Batajnicë, Rudnicë dhe në lokacione të tjera, të cilat mbeten të fshehura në arkivat shtetërore.

Prokuroria Speciale, përmes Departamentit për Krime Lufte, ka ngritur aktakuzë për masakrën e Mejës dhe fshatrave të rajonit të Rekës së Keqe në Komunën e Gjakovës.

Në këtë rast, 53 persona akuzohen për krime të kryera në bashkëkryerje gjatë luftës në Kosovë kundër popullsisë civile. Aktakuza është ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe është plotësuar në prillin e vitit pasues.

Në mesin e të akuzuarve për krimet në Mejë dhe fshatrat e tjera të Gjakovës janë edhe zyrtarë të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të dyshuar për planifikimin dhe zbatimin e operacionit “Reka”, gjatë të cilit u vranë 370 civilë shqiptarë. Ata përballen me akuza për vrasje, dhunë fizike e seksuale, tortura, plaçkitje dhe dëbim etnik.

Ndër të dyshuarit kryesorë është edhe Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës dhe ish-drejtor i Agjencisë Ushtarake të Sigurimit të Serbisë.

Aktgjykimi i parë në mungesë u shqiptua në dhjetor të vitit 2024 ndaj Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime kundër popullatës civile në Shtime gjatë vitit 1999.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram