Monday, April 27, 2026
HomeLajmeKosovë113 të vrarë në Krushë të Vogël,mbi 60 ende të pagjetur edhe...

113 të vrarë në Krushë të Vogël,mbi 60 ende të pagjetur edhe pas 27 vjetësh

Secila familje e Krushës së Vogël bart një histori të dhimbshme që e ruan prej gati tri dekadash.

Nexhmije Batusha humbi dy djemtë dhe bashkëshortin në masakrën e 26 marsit 1999. Memoriali i ngritur për 113 viktimat e Krushës qëndron si dëshmi e plagës së hapur, një vend ku dhimbja nuk shuhet dhe kujtimi i tyre mbetet i gjallë përgjithmonë.

“Po, një nip e kam 14 vjeç, djali ma ka lënë. Ku mund të pres unë atë nip, por apet e kënaqur jam, shyqyr që e kam derën çelë, ma ka lënë ai, po më flladitë, mes tjerash edhe çika, se nana e ka vështirë tre evladë”, rrëfen Batusha.

“Ato gjyshe, nëna e motra tona, ato rritën e edukuan 145 fëmijë jetimë. Falë tyre, sot ne jemi burra. Ato janë heroina të heshtura”, tha Ilir Shehu – përfaqësues i fshatit Krushë e Vogël.

Memoriali në Krushë të Vogël, i përuruar në Ditën e Personave të Pagjetur, do të mbajë gjallë kujtesën që të mos harrohet kurrë, duke dëshmuar për brezat për gjenocidin e kryer nga forcat serbe dhe bashkëpunëtorët lokalë serbë mbi popullatën civile shqiptare.

“Ky memorial nuk e zëvendëson asnjë jetë të humbur, por ai vendos një të vërtetë që nuk mund të mohohet dhe nuk mund të harrohet. Ai është ndërtuar që kjo histori të dokumentohet, që brezat që vijnë ta dinë çfarë ka ndodhur këtu dhe të kuptojnë se sa e shtrenjtë është liria që e gëzojmë ne sot”, deklaroi Andin Hoti, ministër për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës.

“Është një dëshmi e cila e dëshmon një histori shumë të vështirë, por sa të vështirë, aq edhe të lavdishme, sepse si rezultat i luftës së UÇK-së, ne sot e kemi lirinë, i kemi institucionet dhe e kemi shtetin”, tha Shaqir Totaj, kryetar i Prizrenit.

Në këtë memorial janë skalitur emrat e 113 krushjanëve, janë ekspozuar dëshmi të të mbijetuarve, ndërsa vendi i masakrës është shndërruar në një muze që flet fuqishëm për atë ditë të kobshme.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram