Monday, April 27, 2026
HomeLajmeKosovëBehrami kërkon raportim të Trendafilovës, kundërshtohet nga Selimi

Behrami kërkon raportim të Trendafilovës, kundërshtohet nga Selimi

Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës është ngritur debat për mundësinë e thirrjes për raportim të kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Propozimi është bërë nga anëtari i këtij komisioni nga PDK-ja, Artan Behrami, i cili ka argumentuar se ekzistojnë shqetësime për shkelje të të drejtave të njeriut dhe devijim nga mandati i gjykatës.

Gjatë mbledhjes së komisionit, Behrami argumentoi se gjatë gjashtë viteve të funksionimit të kësaj gjykate, sipas tij, ka pasur “devijim nga mandati” dhe shqetësime të shumta për të drejtat e njeriut të të paraburgosurve në Hagë.

“Në këto gjashtë vite kemi qenë dëshmitarë të një devijimi shumë të madh të mandatit. Ka shqetësime serioze për cenim të të drejtave të njeriut të të paraburgosurve”, tha Behrami, duke shtuar se raportimi nuk do të nënkuptonte ndërhyrje në drejtësi, por “ndriçim të së vërtetës”.

Ai theksoi gjithashtu se gjykata, sipas tij, nuk i raporton Kuvendit të Kosovës, por përmes EULEX-it dhe UNMIK-ut, duke e cilësuar këtë si problematikë institucionale. Behrami renditi edhe një sërë pretendimesh për shkelje, përfshirë paraburgimin e zgjatur, mungesën e transparencës, kufizimin e vizitave dhe mungesën e mekanizmave të pavarur të ankesës.

“Ne nuk synojmë të ndërhyjmë në drejtësi, por të kuptojmë nëse janë respektuar të drejtat e njeriut”, u shpreh ai.

Ndaj këtij propozimi reagoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, e cila vuri në dyshim kompetencat e Kuvendit për të thirrur për raportim Dhomat e Specializuara.

Sipas saj, gjykatat nuk raportojnë për raste konkrete që janë në proces dhe Dhomat e Specializuara kanë status të veçantë juridik ndërkombëtar.

“Edhe më lejoni t’ju rikujtoj se Kuvendi nuk ka kompetencë mbikëqyrjeje direkte për këtë institucion”, tha Selimi, duke cituar edhe nenet e ligjit për Dhomat e Specializuara që i japin supremaci këtij institucioni mbi ligjet vendore.

Ajo shtoi se gjykatat në Kosovë nuk thirren për raportim mbi proceset gjyqësore dhe se e njëjta praktikë vlen edhe për Dhomat e Specializuara.

“Procesin në Hagë mos e bëni pjesë të fushatave politike”, u shpreh ajo, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të ketë pasoja institucionale dhe politike.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram