Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës janë angazhuar më shumë se kurrë më parë në zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve të spiunazhit, të cilat, sipas tij, kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit.
Sveçla bëri të ditur se sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 6 vite burgim Jelena Gjukanoviq, e cila sipas vendimit gjyqësor ka zhvilluar veprimtari spiunazhi duke nxjerrë dhe shpërndarë dokumente të brendshme dhe të ndjeshme të institucioneve të Kosovës tek akterë të ndryshëm në Serbi.
Ministri theksoi se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, ndërsa kërkoi më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat që këto veprime kanë për shtetin.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë veprim që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës sonë nuk do të tolerohet”, ka shkruar Sveçla në facebook.

