Tuesday, April 28, 2026
HomeLajmeKosovëVotohen tre anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Votohen tre anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Me 57 vota deputetësh, 4 vota kundër e 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka emëruar tre anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Driton Vela dhe Florim Gallopeni do të kenë mandat katërvjeçar, ndërsa Shkurtë Bajgora me mandat dyvjeçar.

Paraprakisht, ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, foli për procedurat që janë ndjekur deri tash.

“Procesi ka filluar me 31 mars 2026 kur kemi pranuar njoftimin nga Agjencia e Kosovës për Akreditim në lidhje me përfundimin e mandateve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Dy nga ata me përfundim mandati me 17 qershor, njëri nga të cilët kishte dhënë dorëheqje, sepse është emëruar në një institucion tjetër, si dhe një tjetër me përfundim mandati me 5 dhjetor sivjet. Në njoftimin e Agjencisë specifikohet se nga praktikat e 5 viteve të fundit mund të konkludohet se fushat më urgjente për plotësimin e anëtarëve të KSHC janë shkencat sociale dhe humane dhe mjekësia”, tha Çeku.

Tutje, ministri tha se më 1 prill kjo çështje është adresuar te Zyra e Sekretares së Përgjithshme në ministri.

“Më 7 prill kam pranuar kërkesën nga Departamenti për Arsim të Lartë për shpalljen e thirrjes publike për nominime. Pas aprovimit të kësaj kërkese është shpallur thirrja për nominime, e vlefshme nga 7 deri me 15 prill për 3 anëtarë të KSHC-së. Me 17 prill është emëruar komisioni për shqyrtimin e dokumentacionit të aplikantëve”, shpjegoi ministri.

Partitë opozitare kanë adresuar kritika karshi Vetëvendosje për këtë proces.

Sala Jashari e PDK-së tha se institucionet që duhet të jenë garant i cilësisë, fatkeqësisht, sipas saj, po rrezikojnën të shndërrohen në instrument politik.

“Mbi të gjitha është ironike që pikërisht sjelljet për të cilat LVV-ja ka proklamuar për parime se këto borde duhet të jenë neutrale, profesionale, sot po shfaqen haptas përmes tentativave për kapjen e institucioneve të pavarura të shtetit”, tha ajo.

Jehona Lushaku-Sadriu, kryetare e Grupit Parlamentar të LDK-së e quajti procesin të kontestuar.

“Veç kur e paramendoni për institucionin për të cilin po flasim, po flasim për arsimin, për një institucion që siguron cilësi në arsim. Po flasim për tentim kapjen e politizimin e saj. Ju e dini që njëherë Agjencia për Akreditim është përjashtuar nga anëtarësimi ndërkombëtar, vetëm pse është politizuar, e tash po na përsëritet historia”, tha ajo.

Time Kadrijaj e AAK-së tha se po shihet tendenca e LVV-së.

“Sigurisht ju kujtohet shumë mirë, bile ty kryetare të kujtohet shumë mirë, sepse je nga fillimi edhe deputete,  por edhe aktiviste e LVV-së,  edhe të kujtohen premtimet me të cilat keni ardhur në pushtet. Të afërmit, janë për dasma, janë për ahengje”, tha ajo.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram