Kosova pritet të ruajë pozicionin si një nga ekonomitë më stabile në Ballkanin Perëndimor në vitet e ardhshme, me një rritje të qëndrueshme ekonomike që tejkalon mesataren rajonale, sipas një raporti ekonomik.
Sipas parashikimeve, ekonomia e Kosovës do të rritet me 3.6% në vitin 2025, 3.7% në 2026, 3.9% në 2027 dhe 4.0% në 2028. Rritja ekonomike mbështetet kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe aktiviteti i qëndrueshëm ekonomik, megjithatë vendi mbetet i ndjeshëm ndaj pasigurive globale dhe varësisë nga tregjet e Bashkimit Evropian.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria parashikohet të ketë rritje prej 3.4% në 2026 dhe 3.7% në 2027. Bosnja dhe Hercegovina pritet të rritet me 2.5% në 2026 dhe 3.0% në 2027, ndërsa Maqedonia e Veriut me 2.9% dhe 3.1%. Mali i Zi parashikohet të ketë rritje prej 2.9% në 2026 dhe 3.0% në 2027, ndërsa Serbia 2.7% në 2026 dhe 3.0% në 2027, pas një ngadalësimi të dukshëm në vitin 2025.

