Thursday, April 30, 2026
HomeLajmeKosovëArrestohen dy persona për mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj dhe Kaçanik

Arrestohen dy persona për mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj dhe Kaçanik

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi që lidhet me shitblerjen e rreme të kriptovalutave, ndërsa një i tretë mbetet në arrati.

Sipas njoftimit, ‘rasti fillestar është raportuar më 17 prill 2026, rreth orës 21:00, në stacionin policor në Ferizaj. Ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Cen Dugolli”, ku të dyshuarit kishin organizuar një takim me tre persona, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si posedues të kriptovalutave për shitje’.

Përmes kësaj skeme, thuhet në njoftim, ata kanë arritur të përvetësojnë gjithsej 12,000 euro, përkatësisht nga 4,000 euro nga secili prej të dëmtuarve. “Menjëherë pas marrjes së parave, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes duke u arratisur përmes dritares së një lokali”, theksohet në njoftim.

Hetimet policore kanë vazhduar intensivisht, dhe më 29 prill 2026, autoritetet kanë siguruar informacione se të njëjtit persona po përgatisnin një rast të ngjashëm në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik. Policia ka ndërhyrë në kohë, duke arrestuar dy nga të dyshuarit, të identifikuar me inicialet A.L. (25 vjeç) dhe R.J. (23 vjeç), ndërsa një person i tretë, tashmë i identifikuar, ka arritur të largohet.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar prova materiale, përfshirë një makinë për numërimin e parave, një çantë dhe një veturë e tipit Golf 7, që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale.

Me vendim të prokurorit të shtetit, dy të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram