Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major, Ozkan Ulutas, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qetë, por e brishtë, duke theksuar nevojën urgjente për një zgjidhje politike afatgjatë ndërmjet palëve.
Në një deklaratë, pas takimeve në selinë e NATO në Bruksel, Ulutas bëri të ditur se ka informuar ambasadorët e vendeve aleate dhe partnerëve kontribuues në misionin e KFOR-it për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.
Gjithashtu, ai është takuar me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Aleancës.
“Angazhimi ynë kolektiv në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë është i palëkundur”, ka theksuar ai, duke shtuar se aleatët dhe partnerët vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet.
“Që nga tetori 2025, kemi vërejtur se situata e sigurisë në përgjithësi është e qetë. Nuk kemi parë një rikthim të dhunës si në vitin 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të Kosovës”, theksoi ai duke iu referuar zhvillimeve të fundit.
Ai nënvizoi se prioritet i KFOR-it mbetet ruajtja e stabilitetit për të gjitha komunitetet, duke shtuar se misioni mban një prani “të dukshme, të shkathët dhe fleksibile” në terren për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të situatës.
Në deklaratë theksohet gjithashtu roli kyç i KFOR-it në stabilitetin rajonal. “KFOR-i ka qenë dhe mbetet një shtyllë kyçe e stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, thuhet më tej, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve dhe partnerëve.
Komandanti Ulutas, bëri të ditur se mban kontakte të rregullta me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, organizatave të sigurisë në Kosovë dhe të Forcave të Armatosura të Serbisë, me qëllim rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit të përbashkët për situatën në terren.
Në fund, ai theksoi se zgjidhja e qëndrueshme për rajonin është politike dhe jo ushtarake.
“Ekziston një nevojë urgjente për një zgjidhje politike afatgjatë”, deklaroi ai, duke shtuar se NATO mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Stabiliteti varet nga zgjedhja e të gjitha palëve për diplomacinë në vend të dhunës. Rruga drejt paqes së qëndrueshme është politike, jo ushtarake,” përfundon deklarata e komandantit të KFOR-it.

