Sunday, May 3, 2026
HomeLajmeKosovëÇipa, Krasniqi e Pajaziti japin alarmin në Ditën e Lirisë së Shtypit:...

Çipa, Krasniqi e Pajaziti japin alarmin në Ditën e Lirisë së Shtypit: Media shqiptare përballë krizës së besimit, censurës dhe pasigurisë sociale

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Kryetari i UGSh-së dhe dy gazetarë karriere kanë ngritur shqetësime serioze për gjendjen e mediave në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut duke theksuar problemet me financimin, censurën, ndikimet politike dhe mungesën e mbrojtjes për gazetarët

Çipa: Mediat shqiptare mes krizës financiare dhe ndikimeve politike

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, deklaroi për Kosova.info se skena mediatike shqiptare vazhdon të mbartë probleme të vjetra, ndërsa janë shtuar edhe sfida të reja për shkak të rritjes “inflacioniste” të mediave të reja online.

Sipas tij, në Shqipëri ende botohen 7 gazeta të përditshme, mes tyre një sportive, dy gazeta javore kulturore dhe tre revista mujore periodike. Po ashtu operojnë rreth 70 radio, 70 televizione, mbi 100 operatorë kabllorë, pesë platforma numerike tokësore dhe tri platforma digjitale.

Çipa bëri të ditur se vetëm në sektorin online veprojnë mbi 665 media të reja, ku janë të punësuar mbi 1300 persona, kryesisht gazetarë, specialistë të IT-së dhe komunikimit. Në total, sipas tij, në të gjithë spektrin mediatik shqiptar punojnë mbi 5200 persona, prej të cilëve mbi 2170 janë gazetarë dhe redaktorë.

Ai ngriti alarmin për informalitetin financiar të mediave, mungesën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, pagat diskriminuese për reporterët dhe redaktorët, si dhe dallimet e mëdha mes figurave televizive dhe pjesës tjetër të stafit redaksional.

Një tjetër problem serioz, sipas Çipës, është raporti mes lirisë së gazetarit dhe censurës pronësore apo politike. Ai tha se mediat kryesore në vend janë ndarë në kampe pro dhe kundër dy forcave kryesore politike, ndërsa shumica qeverisëse ndjek politika selektive në ndarjen e financave publike dhe donacioneve.

Sipas tij, këto zhvillime kanë dobësuar rolin e editorit, kanë goditur gazetarinë investigative dhe mediat vendore, ndërsa skena mediatike shqiptare mbetet pa struktura sindikale funksionale. Çipa shtroi edhe dilemën për fatin e medias publike duke pyetur nëse ajo do të mbetet apo do të tjetërsohet.

Krasniqi: Media në Kosovë ka progres, por ende larg misionit të saj

Nga Kosova, gazetari Ilir Krasniqi, në një prononcim për Kosova.info tha se kjo ditë shërben si mundësi për të bërë bilancin e rolit të mediave në shoqëri. Ai theksoi se, megjithëse raportet ndërkombëtare kanë evidentuar progres në Kosovë, media ende mbetet larg përmbushjes së misionit të saj të plotë.

Krasniqi vlerësoi se në Kosovë operojnë qindra media online, shumica me vështirësi të mëdha ekonomike, ku punojnë gazetarë në kushte të vështira materiale. Ai tha se numri i madh i mediave është tregues i lirisë së shprehjes, por jo domosdoshmërisht i cilësisë së gazetarisë.

Sipas tij, disa media me financim të qëndrueshëm ndikohen nga interesa individuale dhe jo nga interesi publik, gjë që dëmton kredibilitetin e mediave dhe të vetë gazetarëve. Krasniqi shtoi se shumë gazetarë profesionistë vazhdojnë të mos kenë sigurime shëndetësore dhe përfaqësim sindikal të denjë.

Pajaziti: Peizazhi mediatik sot ngjan me një xhungël të interesave

Ndërkohë, gazetari nga Maqedonia e Veriut, Naser Pajaziti, e përshkroi peizazhin mediatik si një “xhungël”, ku profesioni i gazetarit është kapur dhe nëpërkëmbur nga interesa grupesh që ia zënë frymën të vërtetës.

Ai, për Kosova.info tha se misioni dhe kuptimi i medias po humbet në një humnerë ku mbizotërojnë padituria dhe injoranca, ndërsa zëri i gazetarëve shpesh mbetet i pambrojtur dhe i vetmuar.

Megjithatë, Pajaziti shtoi se ende ekzistojnë media dhe gazetarë të rrallë që refuzojnë të dorëzohen dhe që përballen me çdo presion për të ruajtur dinjitetin e këtij profesioni.

Mesazhet e tre gazetarëve për Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit nxjerrin në pah një realitet të përbashkët në rajon: liria formale ekziston, por gazetaria profesionale vazhdon të përballet me presione politike, pasiguri ekonomike dhe krizë besueshmërie. /Kosova.info/

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram