Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka ndërmarrë veprime konkrete në kuadër të planit operativ “Droni dhe Alkooli”, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.
Sipas njoftimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përmes angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve të saj, ka përmbyllur me sukses këtë plan, i cili është realizuar duke përdorur edhe teknologji moderne për monitorimin e trafikut.Sipas Policisë, këto masa kanë kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit të pjesëmarrësve në komunikacion dhe në krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët.
“Gjatë zbatimit të planit janë evidentuar rreth 410 kundërvajtje, për të cilat janë shqiptuar gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në rastet që paraqesin rrezik të shtuar, si tejkalimet në vende të ndaluara dhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, janë ndërmarrë masa mbrojtëse, përfshirë ndalimin e 42 patentë shoferëve”, thuhet në njoftim.
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë aktive në terren me të gjitha kapacitetet e saj, duke punuar për garantimin e sigurisë në rrugë. Njëkohësisht, u bëhet thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, në mënyrë që të parandalojnë aksidentet dhe të kontribuojnë në sigurinë e përbashkët.

