Mbështetja e bujqve dhe blegtorëve mbetet hap i rëndësishëm për rritjen e prodhimit vendor dhe cilësisë njëkohësisht. Blegtorët thonë se çdo ndihmë është e rëndësishme për ta, duke theksuar nevojën për mbështetje më të qëndrueshme nga institucionet.
Informacionet për mbështetje të drejtpërdrejtë për bujqit dhe blegtorët kanë inkurajuar në veçanti ata që merren me prodhimin dhe përpunimin e qumështit.
“Çdo ndihmë e vogël është e mjaftueshme për ne duke mos e keqpërdorë në vende të tjera. Ne të kqyrin me të dy sytë aty ku janë fermerët vendorë, aty ku punohet toka, aty ku jetohet dhe aty ku e sheh pasurinë çdo ditë, se vetëm prodhimi është fitimi”, tha blegtori Ramush Cakolli.
“Me fol realitetin, unë 6 vite nuk kam marrë prej shtetit asnjë cent, po tash që dy vite jam tu marrë për kokë lope dhe i ka që dy vite që jam duke e marrë 7 centëshin, se as për 7 cent nuk kam apliku asnjëherë”, u shpreh blegtori tjetër, Shkelqim Rrustemi.
Dikasteri i Bujqësisë është zotuar se do t’i mbështesë prodhuesit vendorë edhe në rritje të sasisë, edhe në përmirësim të cilësisë.
“Te buallicat mbështetja do të jetë 180 euro për krerë, te mbështetjet për riprodhim mbështetja do të jetë 60 euro për krerë, te lopët qumështore subvencionimi, pagesa do të jetë 90 euro për krerë”, deklaroi Isuf Cikaqi – drejtor për pagesa direkte në MBPZHR.
Gjithashtu, mbështetje institucionale janë paraparë edhe për sektorin e të imtave, ku bëjnë pjesë delet dhe dhitë, ku subvencionimi ose pagesa do të jetë 25 euro për kokë të deleve dhe dhive.

