Tuesday, May 5, 2026
HomeLajmeKosovëZjarrfikësit përballen me mungesë stafi dhe kushte të vështira pune 

Zjarrfikësit përballen me mungesë stafi dhe kushte të vështira pune 

Zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me mungesë statusi të definuar, staf të pamjaftueshëm, pajisje të mangëta dhe kushte të vështira pune. Në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve theksohet se një sërë problemesh mbeten sfida dhe pengesa në këtë profesion me rrezikshmëri të lartë.

Një telefonatë e vetme mjafton për të aktivizuar zinxhirin e reagimit dhe brenda pak sekondash, zjarrfikësit nisen drejt vendngjarjes, shpesh pa e ditur se çfarë i pret.

Por pas mobilizimit të shpejtë, qëndrojnë sfida të vazhdueshme: mungesë e theksuar e stafit, rritje e numrit të ndërhyrjeve dhe kushte pune që, ndonëse janë përmirësuar ndër vite, ende nuk janë në nivelin e kërkuar.

“Kushtet çdo herë do të thotë ka vend për t’u përmirësuar, por nëse bëhen krahasime që prej pasluftës e deri tash, kushtet çdo kohë janë më të mira. Por prapë nuk jemi në atë nivelin ku duhet të jemi të kënaqur”, ka thënë Abdusamed Shkodra, zv/komandant i zjarrfikësve në Prishtinë.

Janë vetëm 102 zjarrfikës që mbulojnë kryeqytetin si territor, përfshirë Graçanicën, komunën e Fushë Kosovës dhe atë të Obiliqit, numër ky shumë i vogël për mbulimin e kësaj zone, duke marrë për bazë faktin se vetëm vitin e kaluar është shënuar numër rekord i intervenimeve.

“Unë desha ta cek vitin 2025, që ka qenë një vit që është thyer rekordi i intervenimeve që prej pasluftës. Dikur 3020 intervenime do të thotë është dashtë të intervenojnë zjarrfikësit e kryeqytetit. Kjo është sfidë. Do të thotë numri është i madh, është një sfidë shumë për zjarrfikësit, por mbi gjitha ia kemi dal”, ka shtuar Shkodra.

Me sfida thuajse të njëjta ballafaqohen edhe zjarrfikësit e zonave të tjera. Edhe në Mitrovicë, sfidë mbetet mungesa e stafit.

“Stafin ne e kemi të mangët, i kemi diku afër 17 persona që duhet me qenë, mirëpo jemi 26 e duhemi me qenë 42 komplet për regjionin e Mitrovicës. Ne e monitorojmë regjionin e Mitrovicës dhe varësisht nga nevoja, për shembull Vushtrria, i ofrojmë ndihmë komunës së Skenderajt, por kryesisht jemi të fokusuar në qytetin tonë në Mitrovicë”, ka thënë Burim Ibiqi, komandant i zjarrfikësve në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Misioni i zjarrfikësve shkon përtej shuarjes së zjarreve. Ai kërkon guxim, përkushtim dhe sakrificë të vazhdueshme. Në kushte të vështira, mes flakëve dhe tymit, ata vendosin sigurinë e qytetarëve mbi gjithçka tjetër. Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, e cila shënohet çdo 4 maj, në Kosovë kjo ditë përkujtohet në nderim të atyre që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram