Wednesday, May 6, 2026
HomeLajmeKosovëAksion në AKK, Prokuroria zbardh detaje për falsifikim dhe keqpërdorim

Aksion në AKK, Prokuroria zbardh detaje për falsifikim dhe keqpërdorim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me aksionin e sotëm në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit,  në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sot ka zhvilluar një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, si dhe në disa lokacione të tjera.

Sipas njoftimit, ky aksion është realizuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontroll ndaj të dyshuarve lidhur me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo Autoritetit Zyrtar’’, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’ .

Sipas Prokurorisë, të pandehurit A.Q., dhe N.K., në bashkëveprim dhe pas një marrëveshje paraprake, kanë përdorur një dokument të falsifikuar të titulluar ‘’Kontratë për këmbim e paluajtshmërive’’ të datës 11.02.1966. Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Gjatë hetimeve, është dyshuar se A.Q., dhe N.K., me ndihmën e personit zyrtar A.B., kanë arritur që dokumentin e falsifikuar të paraqesin si autentik, duke vulosur dhe përfshirë në arkivat e gjykatës, ndonëse një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare.

Po ashtu, i dyshuari A.B. në cilësinë e personit zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke krijuar dosje fiktive dhe duke mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar, me qëllim të përfimit të kundërligjshëm për vete dhe persona të tjerë.

Ndërkohë, të dyshuarit B.Sh., dhe M.B., në cilësinë e personave zyrtar ne Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë aprovuar ankesën e palës, përkatësisht të pandehurit N.K., duke obliguar Komunën e Prishtinës që të regjistrojë pronën në emër të tij.

Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se  mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në këtë drejtim.

Përfundon aksioni  në Agjencinë Kadastrale, një i shoqëruar në Polici

Ka përfunduar aksioni i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në objektin e Agjencisë Kadastrale.

Gjatë ndërhyrjes, është vërejtur edhe shoqërimi i një personi nga zyrtarët policorë.

Aksioni është konfirmuar paraprakisht nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala,

Bastisje në Agjencinë Kadastrale në Prishtinë

Një aksion policor është duke u zhvilluar në objektin e Agjencisë Kadastrale në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Themelore.

Hetimi po zhvillohet lidhur me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Aksionin e ka konfirmuar për RTKlive, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

 Ajo ka thënë se për detajet nga ky aksion do të njoftojnë më vonë.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se është duke u zhvilluar një aksion. Për më shume detaje ju njoftojmë me kohë”, ka thënë ajo.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram