Friday, July 31, 2026
HomeGjeopolitikOpinionTë lindësh pa e zgjedhur veten

Të lindësh pa e zgjedhur veten

Zejdush Kastrati

Hipotetikisht, sikur dikush të më kishte pyetur para se të lindja nëse do të kisha dëshirë të isha ky që jam sot – shqiptar – përgjigjja ime do të kishte qenë e sinqertë dhe e ftohtë: Jo. Jo nga urrejtja ndaj vetes, as nga dëshira për t’u bërë dikush tjetër “më i madh” a “më i fortë”. Jo sepse do të kisha zgjedhur të lindja amerikan, gjerman, francez apo anglez. Ndoshta, vetëm ndonjë komb nordik do të më kishte tunduar imagjinatën – për shkak të qetësisë, normalitetit, rregullit dhe një jete më pak të rënduar nga historia, nga konfliktet dhe nga tensionet identitare. Por kjo mbetet vetëm një hipotezë. Një fantazi mendore, një lojë e pamundur me fatin. Sepse jeta nuk pyet. Ajo të hedh në një realitet dhe pastaj të sfidon: ose e mohon veten, ose e përballon atë që je. Kur i kthehem jetës sime reale – fëmijërisë, adoleshencës, viteve të studimit, punës, familjes, shoqërisë që kam ndërtuar – e kuptoj se nuk do ta ndërroja asnjë pikë e asnjë presje nga ky rrugëtim. Jo sepse ka qenë i lehtë. Përkundrazi. Pikërisht sepse ka qenë i vështirë. Rrugëtimi im jetësor, ashtu si i shumicës së bashkëvendësve të mi, ka kaluar përmes sfidave, pengesave, diferencimeve, baticave dhe zbaticave. Ka pasur momente të mbijetesës, jo vetëm materiale, por edhe morale. Shumë nga plagët nuk kanë ardhur nga rrethanat historike, por nga faktori njeri: primitivizma, inate personale, kapriço, shpifje, ndershkëmbime dhe padrejtësi të vogla, por të përditshme – ato që të lodhin më shumë se fatkeqësitë e mëdha. Si gazetar, shumë nga këto i kam parë nga afër. Disa i kam përjetuar në lëkurën time. Shumë i kam vëzhguar, analizuar dhe shkruar. Dhe po, ka pasur momente kur jam demoralizuar, jam hidhëruar dhe kam pyetur veten, pa patetikë: pse linda ky që jam? Por një gjë mbetet e panegociueshme: nuk jam fajtor që jam shqiptar. Ashtu siç askush në këtë botë nuk është fajtor për kombin, gjuhën apo historinë në të cilën ka lindur. Faji fillon vetëm atëherë kur refuzon të jesh njeri. Këtë bindje e kam artikuluar edhe në rrethana konkrete. Menjëherë pas luftës, në Beograd, në një takim të organizuar në kuadër të projektit “Parandalimi i konflikteve”, iu drejtova një zyrtari të lartë serb me një fjali të thjeshtë,( Covic),por thelbësore: se as ai nuk ishte fajtor pse ishte serb, as unë pse isha shqiptar, por se respekti minimal njerëzor ishte i vetmi terren i mundshëm bashkëjetese. I thashë se unë, kur hyj në Serbi, respektoj ligjet e Serbisë, dhe se i njëjti parim duhet të vlejë edhe kur ai vjen në Kosovë. Reagimi i tij ishte i ashpër. Mohues. I mbyllur në një botë ekskluzivisht serbe, në një narrativë ku fajin e kanë gjithmonë të tjerët – përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar – dhe ku Kosova mbetet një “shtet inekzistent”. Aty e kuptova qartë: problemi ynë nuk është vetëm historia, por mentaliteti. Një mentalitet ballkanas që ende funksionon, që ende prodhon konflikt, mohime dhe armiqësi, edhe kur lufta ka mbaruar. Dhe pikërisht për këtë arsye, pavarësisht gjithçkaje, nuk do ta ndërroja identitetin tim. Sepse ta mbash atë, në këto rrethana, nuk është privilegj – është qëndresë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram