Vendimi për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin është shtyrë deri më 20 korrik për shkak të volumit të madh të provave dhe kompleksitetit të çështjes, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti kritikoi mungesën e transparencës së Speciales dhe tha se lufta e UÇK-së do të mbetet në histori si luftë e drejtë, duke shprehur besim në pafajësinë e krerëve të ushtrisë.
Ndonëse 19 maji ishte afati i paraparë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të merrnin lajmin e rëndësishëm për të ardhmen e tyre, një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Me vendim të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim në Sheveningen të Holandës edhe për një kohë.
Tani 20 korriku mbetet afati i dytë deri kur Specialja pritet të shpallë vendimin e shkallës së parë për Thaçin dhe të tjerët, për çka gjykata ka arsyetuar këtë shtyrje me volumin e madh të lëndës.
Paneli vëren se gjatë zhvillimit të procedurave ka pranuar provat e rreth 270 dëshmitarëve, gojarisht dhe me shkrim, si dhe ka pranuar në provë 5,497 materiale. Transkripti i këtyre procedurave është i gjatë 29 mijë e 238 faqe. Paneli po ashtu vëren kompleksitetin e procedurave në këtë çështje. Në veçanti, faktet e rastit mbulojnë më shumë se një vit e gjysmë dhe përfshijnë shumë vende të pretenduara të krimit. Madje, nga Specialja kanë bërë të ditur se nëse e shohin të nevojshme, ky afat mund të shtyhet përsëri.
Për vendimin për shtyrjen ka folur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka thënë se beson në drejtësinë e luftës dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së.
“Sa i përket vendimit të Speciales që të shtyhet për dy muaj, nëse s’gaboj, vendimi i tyre ne e morëm vesh sikurse gjithë ju për shkak se Qeveria nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Speciale e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë. Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale. Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të mësohet në histori si luftë e drejtë kundër një okupatori gjenocidal”, theksoi kryeministri në detyrë, Abin Kurti.
Ndërkohë, zvarritje të procesit e ka quajtur këtë vendim të Speciales avokati i akredituar, Skënder Musa. Sipas tij, më e drejta do të ishte lirimi i katërshes nga paraburgimi.
“Është një zvarritje e procesit dhe konsideroj që është e panevojshme për shkak se janë në paraburgim qe 5 vjet, përndryshe sa i përket aspektit ligjor kanë të drejtë ta bëjnë shtyrjen edhe në bazë të rregullores të Dhomave të Specializuara, mirëpo kohën që është bërë shtyrja, te qytetarët e Kosovës, gjykata veç e humb kredibilitetin dhe besimin”, tha Skender Musa, avokat i akredituar.
Për këtë çështje, OVL e UÇK-së të enjten u është drejtuar me një letër ambasadave në Kosovë, ku ka apeluar për ruajtjen e besimit në drejtësinë ndërkombëtare. Sipas kësaj organizate, akti përfundimtar do ta pasqyrojë me seriozitet të vërtetën historike se paqja dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të ndahen nga besimi i qytetarëve se drejtësia është e paanshme dhe e besueshme.
RTK ka dërguar pyetje në Zyrën e BE-së në Kosovë dhe tek ambasadat e shteteve financuese të gjykatës për zhvillimet e fundit, por disa prej tyre nuk kanë dashur të komentojnë e disa nuk kanë kthyer përgjigje.

