Thursday, May 7, 2026
HomeLajmeKosovëKurti kërkon statusin kandidat dhe hapjen e negociatave për Kosovën në BE

Kurti kërkon statusin kandidat dhe hapjen e negociatave për Kosovën në BE

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se për Kosovën, Bashkimi Evropian është e ardhmja e zgjedhur nga qytetarët dhe ka kërkuar që BE-ja të avancojë me dhënien e statusit të kandidatit për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në një aktivitet të organizuar nga Zyra e BE-së në shënim të Dita e Evropës, Kurti tha se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në BE mbetet ndër më të lartat në Evropë.

“Për Kosovën, Bashkimi Evropian nuk është një realitet i largët apo një grup standardesh që duhen përmbushur. Ai është shtëpia natyrore e shoqërisë sonë, korniza e reformave tona dhe e ardhmja e qytetarëve tanë që tashmë është zgjedhur. Më shumë se 80% e qytetarëve tanë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga nivelet më të larta të mbështetjes kudo në Evropë”, tha Kurti.

Ai theksoi se Kosova ka shënuar progres në ekonomi, demokraci dhe siguri.

“Ne kemi bërë përparim të konsiderueshëm në vendin tonë. Kemi një nga normat më të forta të rritjes ekonomike në Evropën Juglindore dhe më të fortën në Ballkanin Perëndimor. Jemi në krye kur bëhet fjalë për avancimin demokratik, qoftë sipas matjeve të World Justice Project, Freedom House, Transparency International apo World Press Freedom Index. Ne jemi gjithashtu vendi më i sigurt në rajonin tonë me nivelin më të ulët të krimit”, deklaroi ai.

Kurti përmendi edhe liberalizimin e vizave dhe aplikimin për anëtarësim në BE.

“I gjithë ky përparim mori njohje në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pas një dekade pritjeje, ne tashmë gëzojmë liberalizimin e vizave dhe morëm vendimin historik për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022”, tha ai.

Sipas Kurtit, Bashkimi Evropian duhet të angazhohet që Kosova të mos mbetet prapa në procesin integrues.

“Besoj se BE-ja duhet të punojë së bashku për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Duhet të ketë unitet angazhimi në BE në mënyrë që Kosova të mos mbetet prapa”, u shpreh Kurti.

Ai tha se zgjerimi i BE-së dhe reformat në Kosovë duhet të ecin paralelisht.

“Premtimi juaj është zgjerimi. Premtimi ynë janë reformat, dhe ne mundemi dhe duhet t’i realizojmë të dyja. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët”, deklaroi Kurti.

Ndërkohë, po në këtë aktivitet, ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,Eva Palatova, theksoi se Kosova duhet t’i bindë 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për të avancuar drejt statusit të kandidatit, duke potencuar rëndësinë e demokracisë, formimit të shpejtë të institucioneve dhe progresit në dialog.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram