Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar heroin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Rexha – Drini, si dhe dëshmorët e martirët e rënë në ngjarjet e 8 Majit gjatë luftës çlirimtare.
Haradinaj e ka cilësuar Ekrem Rexhën – Drinin si një nga figurat më emblematike të UÇK-së, duke theksuar rolin e tij si udhëheqës dhe vizionar që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
“8 maji na kthen në kujtesë vitin 1999, motrat dhe vëllezërit e fshatrave Kashicë, Staradran dhe Terstenik, që me sakrificën e tyre u bënë gurthemel i shtetit që e gëzojmë sot”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka përkujtuar edhe Beteja e Llapushnikut, e zhvilluar më 8, 9 dhe 10 maj 1998, të cilën e ka cilësuar ndër betejat më të lavdishme të luftës çlirimtare.
Sipas Haradinajt, kjo betejë shënoi një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e luftës frontale, duke i ndërprerë armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit.
Me përulje dhe respekt, ai ka kujtuar 47 dëshmorët dhe 54 martirët e rënë për lirinë e Kosovës, si dhe dëshmorët dhe martirët e fshatit Lëbushë.
“Gjaku i tyre u bë themel i lirisë sonë dhe kujtimi për ta do të mbetet i gjallë brez pas brezi”, ka shkruar Haradinaj.

