9 maji në të gjithë kontinentin shënon Ditën e Evropës, datë që lidhet me fillimin e projektit evropian dhe ndërtimin e paqes pas Luftës së Dytë Botërore.
Derisa në shtetet evropiane kjo është një ditë e zakonshme pune, Kosova ndonëse ende nuk ka hyrë në Bashkimin Evropian, çdo vit 9 majin e ka festë zyrtare dhe ditë pushimi.
Madje, Kosova ende nuk e ka marrë as statusin e vendit kandidat, ndonëse më 14 dhjetor 2022, krerët e atëhershëm nënshkruan aplikimin ndërsa më 15 dhjetor, ky dokument i rëndësishëm i ishte dorëzuar Presidencës çeke të Këshillit të Evropës.
Por, edhe më shumë se tre vjet pas, Kosova nuk ka arritur të hyjë në agjendën e takimeve të ministrave të Këshillit të Evropës. Ajo nuk është përfshirë as në rendin e ditës së takimit të radhës që do të mbahet më 15 maj.
Megjithatë, i emëruari i Qeverisë për negociata me BE-në, Jeton Zulfaj thotë se Kosova ka shënuar progres, por ende ka përpara sfida.
Zulfaj thotë se Kosova është në pritje të pyetësorit prej mijëra faqesh pas miratimit të rekomandimeve të Këshillit të BE-së, derisa ka marrë mësim nga Shqipëria dhe i ka përgatitur ato në mënyrë që të kursejë kohë dhe të ecet më shpejt përpara.
E ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj Kosovës dhe rrugës së saj evropiane.
Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim.
Derisa Kosova nesër feston Ditën e Evropës, aplikimi I saj ende nuk është shqyrtuar zyrtarisht nga Këshilli i BE-së, kryesisht për shkak se pesë shtete të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë, Spanja,Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

