Kryetari i PDK-së Bedri Hamza ka bërë të ditur se Shemsi Jashari i është bashkuar kësaj partie dhe se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.
Përmes një njoftimi, Hamza e ka cilësuar Jasharin si një nga zërat më aktivë të shoqërisë civile, duke vlerësuar angazhimin e tij ndër vite në mbrojtje të interesit qytetar, transparencës dhe drejtësisë.
Sipas kreut të PDK-së, Jashari ka një përvojë të gjatë në shërbim të vendit, duke përfshirë angazhimin si ish-ushtar i UÇK-së, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe administratës shtetërore, si dhe më pas si aktivist i shoqërisë civile dhe komentues i çështjeve publike.
“Me integritetin dhe angazhimin e tij publik ndër vite, ai i bën nder listës sonë dhe përfaqësimit që i duhet Kosovës”, ka deklaruar Hamza, duke i uruar mirëseardhje Jasharit në PDK.

