Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku ka theksuar nevojën për bashkim të plotë brenda partisë, duke e cilësuar unitetin si kusht për forcimin e LDK-së dhe përballimin e sfidave politike në vend.
Ai theksoi se Kosova ka nevojë ta rikthejë fuqinë e saj në politikën e jashtme, besimin me aleatët strategjikë dhe orientimin e qartë euroatlantik.
“Prandaj, ky bashkim nuk është vetëm përgjigje ndaj një pale politike. Ky bashkim është antidot ndaj gjendjes në të cilën ka rrëshqitur Kosova. Kosova sot ka nevojë ta rikthejë fuqinë e saj në politikën e jashtme. Ka nevojë ta rikthejë besimin me aleatët strategjikë. Ka nevojë për një gjuhë serioze shtetërore, për një përfaqësim dinjitoz dhe për një orientim të qartë euroatlantik”, tha Abdixhiku.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku theksoi nevojën për tejkalim të ndasive brenda partisë.
“Askush nuk e ka luksin e inatit personal. Askush nuk e ka luksin e hatërmbetjeve. Askush nuk ka të drejtë të vendosë veten mbi nevojën që ka Republika për një LDK të fortë, të bashkuar dhe të gatshme për betejat që na vijnë. Dhe po e them sot para jush me bindje të plotë se ky proces nuk ka qenë proces as për poste, as për interesa vetanake. Nuk ka qenë proces për pazare politike, nuk ka qenë proces për ndonjë fotografi elektorale; ka qenë proces ndërgjegjësimi. Proces ku secili prej nesh është dashur të bëjë një pyetje të vetme: Çfarë është më e rëndësishme sot? E kaluara jonë personale apo e ardhmja e Republikës së Kosovës?”, deklaroi kreu i LDK-së.
“Dhe unë jam krenar që, pavarësisht dallimeve, pavarësisht rrugëve që kemi kaluar, pavarësisht plagëve që politika ndonjëherë i lë pas vetes, njerëzit e LDK-së kanë ditur të kuptojnë rëndësinë dhe peshën e momentit. Kanë ditur të kuptojnë se kjo nuk është kohë për ndarje. Kjo nuk është kohë për ego. Kjo nuk është kohë për mure brenda shtëpisë sonë politike. Kjo është kohë vetëm për një gjë: për bashkimin e madh të Lidhjes Demokratike”, tha Abdixhiku.

