Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë ka nominuar Agim Veliun si kandidat për deputet. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka vlerësuar këtë nominim si shenjë të unitetit dhe respektimit të vullnetit të anëtarësisë, duke e cilësuar si një hap pozitiv në procesin e bashkimit të brendshëm të partisë.
“Falënderoj Degën e Podujevës për unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të madh bashkimi për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nominimi nga dega i ish-kryetarit të saj, Agim Veliut, është dëgjim i vullnetit të anëtarësisë dhe një hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh për të cilin jemi angazhuar të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se LDK forcohet sa herë që arrin të qëndrojë e bashkuar, duke e cilësuar këtë si mesazh të rëndësishëm për qytetarët.
“Dhe ky është mesazhi më i mirë që mund t’u japim sot qytetarëve tanë; se mbi çdo dallim, mbi çdo pakënaqësi e mbi çdo periudhë të kaluar, qëndron shtëpia jonë e përbashkët politike, Lidhja Demokratike; dhe përgjegjësia jonë ndaj Republikës”, ka theksuar kreu i LDK-së.
Ndryshe, Agim Veliu nuk ishte përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së në dy proceset zgjedhore të mbajtura gjatë vitit 2025. Ndërsa Abdixhiku, kishte deklaruar ditë më parë se synon t’i bashkojë në parti të gjithë ata që i përkasin krahut të djathtë politik.

