Kryetari i Prishtina, Përparim Rama, ka njoftuar se në kuadër të 15 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Familjes, është nënshkruar deklarata simbolike “18 vjet + 1 mundësi” së bashku me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.
Sipas Ramës, deklarata paraqet një zotim për të mbështetur të rinjtë në periudhën e tranzicionit drejt pavarësisë.
Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për hapat që Kryeqyteti ka ndërmarrë për mbështetjen e të rinjve, përfshirë strehimin, mundësitë për punësim, mentorimin dhe përfshirjen më të madhe në shoqëri.
Rama ka theksuar se një qytet nuk matet vetëm me zhvillimin urban, por edhe me kujdesin ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për mbështetje, duke shtuar se askush nuk duhet të ndihet i vetëm në fillimin e jetës së tij.

