Nga vetëm katër dele të nisura në vitin 2015, sot familja e Hidajet Gurit nga fshati Nikaj i Kaçanikut mbarështon qindra dele, dhi dhe lopë. Përmes punës dhe përkushtimit, ai ka arritur të krijojë një fermë të qëndrueshme, duke e kthyer blegtorinë në burimin kryesor të të ardhurave për familjen e tij.
Në vitin 2015, ai kishte filluar mbarështimin vetëm me katër dele. Sot, Hidajet Guri nga fshati Nikaj i Komunës së Kaçanikut numëron rreth 700 krerë dele, së bashku me qengjat.
Ai mbarështon delen e Sharrit, për të cilën thotë se përshtatet shumë mirë me kushtet klimatike të vendit, ndërsa shquhet për prodhim të mirë të qumështit dhe pjellshmëri të lartë.
“Shitja e qengjave është e garantuar dhe kjo veprimtari është fitimprurëse”, thotë Guri.
Sa i përket shëndetit të tufës, ai tregon se deri më tani nuk janë përballur me sëmundje serioze.
Duke parë leverdinë nga blegtoria, Hidajeti ka filluar në vitin 2016 edhe mbarështimin e dhive autoktone ballkanike. Sot ai numëron rreth 300 dhi, së bashku me kecat.
Dhitë i mbarështon kryesisht për qumësht dhe për shitjen e kecave për mish. Sipas tij, edhe tregu për qumështin e dhisë dhe për kecat është i qëndrueshëm.
“Dhija ballkanike është shumë e qëndrueshme ndaj kushteve klimatike dhe sëmundjeve, ndërsa qumështi i saj është i një cilësie të lartë”, shprehet ai.

