Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka reaguar për sulmin fizik ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, që ka ndodhur sot në Skenderaj. Ajo e ka vlerësuar këtë sulm ‘kriminal e banditesk’.
“Ky akt përveçse është i papranueshëm, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe funksionimit të shtetit të Kosovës si dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Sulme dhe sulmues të tillë i njohim mirë. Synojnë që fushata zgjedhore të jetë e përcjellë nga dhuna, frikësimi dhe logjika e forcës, të cilat nuk kanë vend në Republikën tonë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Sipas saj, këto janë metoda primitive të betejës politike të atyre që shtetin e shohin si pronë private dhe sundimin e ligjit e shtetin e së drejtës si padrejtësi dhe provokim.
“Pres që institucionet e rendit të reagojnë menjëherë dhe pa kompromis. Autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë pa asnjë vonesë. Kjo Republikë e ky shtet nuk i nënshtrohet dhunës. Pikë”, ka shtuar Gërvalla.

