Thursday, May 14, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Qeveria e dënon sulmin qyqar ndaj Hysni Mehanit

Kurti: Qeveria e dënon sulmin qyqar ndaj Hysni Mehanit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur të papranueshëm sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave, kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për deputet nga Skenderaj, Hysni Mehani.

Kurti, në hapje të mbledhjes së sotme të qeverisë në detyrë, ka thënë se sulmet e tilla nuk i trembin dhe nuk i shtyjnë të tërhiqen nga gara politike në asnjë qytet.

“Teksa po përgatiteshim për mbledhjen e Qeverisë, na erdhi lajmi se kryetari i Qendrës së LVV-së në Komunën e Skenderajt, Hysni Mehani, u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë, teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë thirrje që organet e rendit e të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë ndaj përgjegjësve të këtij sulmi, duke theksuar se rasti duhet të trajtohet menjëherë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka folur edhe për rastin e bllokimit të minatorëve në Trepçë, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.

Ai ka bërë të ditur se ekipet emergjente dhe ato teknike kanë reaguar menjëherë për të mundësuar nxjerrjen e minatorëve dhe rikthimin e furnizimit me energji.

Sipas tij, për shkak të një defekti në linjën 35 kilovolt në Stan Tërg është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg. Ai theksoi se ekipi i Trepça Sh.A., i mbështetur nga ekipi i KOSTT-it, është angazhuar menjëherë për rikthimin e furnizimit.

Kurti ka deklaruar se në momentin e ndërprerjes në minierë kanë qenë 47 minatorë, prej të cilëve 29 kanë dalë përmes shkallëve emergjente nga ora 03:00 deri në orën 08:00, ndërsa pjesa tjetër ka dalë më vonë, pas vendosjes së lidhjes alternative emergjente për rikyçjen e linjës 35 kilovolt nga nënstacioni në Stan Tërg.

Ai shtoi se të gjithë minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa shkaqet e avarisë janë duke u hetuar nga organet kompetente.

Kryeministri në detyrë ka akuzuar opozitën për ndërprerje të mandatit, teksa ka shpalosur një sërë projektesh të realizuara në dy javët e fundit.

Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se opozita ka përdorur procesin e zgjedhjes së presidentit si “armë” për t’ia “prerë” mandatin qeverisë, e cila ishte votuar nga mbi 51% e qytetarëve vetëm pak muaj më parë. Megjithatë, ai u shpreh se ekzekutivi nuk do të ndalet në përmbushjen e zotimeve.

Kurti listoi disa projekte të nisura, duke përfshirë vënien e gurthemelit të Parkut Industrial në Mitrovicë, restaurimin e kompleksit të kishës katolike në Ferizaj dhe investimin prej 450 mijë eurosh në Kalanë e Prizrenit. Ai njoftoi gjithashtu për përfundimin e projekteve të efiçiencës së energjisë në banesa sociale dhe shkolla.

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit Kurti iu kushtoi edhe situatës në Luginën e Preshevës. Kurti dënoi sjelljen e Serbisë, e cila ka bllokuar transferimin e mjeteve financiare nga Kosova, duke lënë pa libra dhe bursa mijëra nxënës e studentë shqiptarë.

“Serbia po vazhdon me metodat e saj të spastrimit etnik në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në njërën anë me mohim të drejtave politike, politika diskriminuese e përjashtuese ndaj shqiptarëve dhe në anën tjetër me bllokim të mbështetjes prej anës sonë. Me pamundësimin e transferimit të mjeteve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, fqinji ynë verior me sjellje abnormale po i lë rreth 3,650 nxënës pa libra falas, më shumë se 750 studentë pa bursa, më shumë se 950 bujq pa mbështetje, sikurse edhe shkolla, organizata, media dhe mijëra qytetarë, në mes të tyre rreth 90 fëmijë jetimë”, tha Kurti.

Ai tha se këtë brengë serioze tashmë ia ka përcjellë shefes së Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, teksa edhe sot përsëriti thirrjen që bashkësia ndërkombëtare të veprojë menjëherë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram