Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë për vitin 2025, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të publikuar nga Platforma WolrdAtlas. Publikimi ka nxitur reagime, ku ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se Kosova ka shënuar përparim krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa opozita e cilësoi raportin si tregues të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale në vend.
Renditja bazohet në GDP-në për kokë banori sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP). Sipas listës, para Kosovës renditet vetëm Moldova, ndërsa pas saj vjen Ukraine.
Sipas publikimit, 10 vendet më të varfëra në Evropë janë: Moldova, Kosova, Ukraina, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Bjellorusia, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria.
Në raport thuhet se ekonomia e Kosovës mbështetet kryesisht në sektorin e shërbimeve, ndërtimtari, tregti dhe remitenca nga diaspora. Po ashtu theksohet se remitencat përbëjnë rreth 15 për qind të GDP-së, ndërsa papunësia e të rinjve mbetet afër 30 për qind.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se Kosova ka shënuar përmirësim krahasuar me vitet e kaluara.
“Kosova ka qenë e fundit kur ne kemi marrë qeverisjen dhe tash kemi ngritje më lartë në atë tabelën e rangimit. Në fakt nëse shihet viteve të kaluara, pra deri në vitin 2019 diferenca e Kosovës me vendet e tjera ka shku duke u rrit, pra vendet tjera i kanë ik Kosovës, kurse tash lëre që e kemi ngushtu diferencën por edhe e kemi kalu një shtet dhe presim që shumë shpejtë ky trend të vazhdojë”, ka thënë Murati.
Ai shtoi se FMN-ja ka raportuar të ardhurat për kokë banori sipas fuqisë blerëse dhe se, sipas tij, trendi tregon përparim të Kosovës në raport me shtetet tjera.
Ndërkohë, kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar duke thënë se raporti tregon gjendjen e rëndë ekonomike në vend.
“Kosova u rendit ndër dy vendet më të varfra në Evropë, me vetëm Ukrainën, e cila është në gjendje lufte, para nesh. Një lajm që duhet të na shqetësojë të gjithëve, sepse tregon qartë kah po rrëshqet vendi ynë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka kritikuar qeverinë duke thënë se qytetarët po përballen me çmime të larta dhe mungesë perspektive.
“Viteve të fundit, energjia e pushtetit është harxhuar në përçarje, propagandë dhe konflikte të pafundme politike, ndërkohë që qytetarët kanë mbetur të vetmuar përballë çmimeve të larta, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës”, ka deklaruar ai.
Reagim ka pasur edhe nga ish-deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami.
“Derisa Kurti qe gjashtë vjet e ka gojën plot propagandë për ‘zhvillim e lulëzim ekonomik’, vendi ynë po përballet me varfëri të thellë. Këtë nuk e thotë vetëm WorldAtlas, por edhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja”, ka shkruar Bajrami.
Ajo tha se sipas të dhënave të World Bank, Kosova ka nivel më të lartë të varfërisë ekstreme krahasuar me vendet e rajonit.
“Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, varfëria ekstreme sipas pragut ndërkombëtar prej 3 dollarë në ditë, Kosova del me 10% varfëri ekstreme”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo kritikoi edhe rritjen e çmimeve dhe inflacionin, duke thënë se jeta për shumë qytetarë është bërë e papërballueshme.

