Monday, May 18, 2026
HomepafilterSpanca: Vetëm 37% e rekomandimeve të auditimit janë zbatuar plotësisht

Spanca: Vetëm 37% e rekomandimeve të auditimit janë zbatuar plotësisht

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur se auditimet e kryera kanë identifikuar mangësi të konsiderueshme në sektorë kyç publik, përfshirë efikasitetin e shërbimeve, menaxhimin e projekteve dhe digjitalizimin.

“Problemet përfshijnë mungesë të efikasitetit dhe efektivitetit në shërbime publike, dobësi në planifikimin e projekteve infrastrukturore, mangësi në mbrojtjen e konsumatorëve, qeverisje të dobët në lejet për ndërtim të lartë dhe zhvillim urban, si dhe menaxhim joefikas në energjinë e ripërtëritshme dhe prokurim publik”, tha Spanca.

Ajo shtoi se janë evidentuar edhe dobësi në digjitalizim dhe sigurinë e informacionit.

“Gjithashtu janë evidentuar dobësi në digjitalizim, siguri të informacionit dhe menaxhim të të dhënave, duke kërkuar përmirësime të konsiderueshme në qeverisje dhe llogaridhënie”, u shpreh ajo. Spanca tha se niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit mbetet i ulët.

“Sipas analizave tona, vetëm 37% e rekomandimeve janë zbatuar plotësisht, ndërsa pjesa e mbetur është në proces zbatimi ose nuk është zbatuar fare”, deklaroi ajo. Duke folur për raportimin institucional, ajo theksoi bashkëpunimin me Kuvendin, pavarësisht sfidave.

“Pavarësisht mosfunksionimit të rregullt të Kuvendit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka përmbushur obligimin e saj raportues dhe i ka dorëzuar Kuvendit raportet dhe dokumentet e tjera vjetore dhe periodike”, tha Spanca, duke shtuar se mosshqyrtimi i tyre “ka zbehur llogaridhënien në administrimin e shpenzimit të parasë publike”.

Ajo njoftoi se gjatë vitit 2025 janë mbajtur aktivitete të shumta me media, shoqëri civile dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe janë pranuar 31 sinjalizime nga qytetarët dhe institucionet.

“Sipas raportit të Barometrit Ballkanik… Zyra Kombëtare e Auditimit vazhdon të gëzojë nivel të lartë besimi publik”, tha ajo, duke shtuar se edhe raporti i Komisionit Evropian vlerëson progresin në transparencë dhe cilësi të auditimit.

Megjithatë, Spanca përmendi edhe sfida institucionale, përfshirë mungesën e objektit adekuat dhe nevojën për ndryshime ligjore.

“Një ndër sfidat kryesore vazhdon të mbetet mungesa e një objekti adekuat për akomodimin e personelit të Zyrës Kombëtare të Auditimit”, tha ajo.

Sipas saj, gjatë vitit 2025–2026 janë planifikuar gjithsej 145 auditime, përfshirë auditime të rregullsisë, performancës, pajtueshmërisë dhe projekte të financuara ndërkombëtarisht.

“Raportet individuale për auditimet e rregullsisë do të publikohen deri më 30 qershor, ndërsa raporti vjetor për buxhetin e Kosovës pritet t’i dorëzohet Kuvendit jo më vonë se 31 gusht 2026”, përfundoi Spanca.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram