Wednesday, May 20, 2026
HomeLajmeKosovëArifi në RTK Prime: `Aleancat e Kosovës janë duke rënë për tokë`

Arifi në RTK Prime: `Aleancat e Kosovës janë duke rënë për tokë`

Në debatin e zhvilluar në emisionin “RTK Prime”, në kuadër të përballjeve politike para nisjes së fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka kritikuar ashpër gjendjen politike në vend, duke thënë se debati publik është zhvendosur nga programet zhvillimore në fyerje dhe polarizim.

Ai ka theksuar se, sipas tij, pas gjashtë vitesh qeverisjeje mungojnë projektet konkrete dhe progresi ekonomik, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për sektorin e energjisë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

“Ne vend se sot me fillu programin me pika programore, me zhvillim ekonomik, me projekte që subjekti me të cilin garoj synon me i pasë në fushatë, ne flasim për fyerjet, sharjet që kanë kapluar dhe janë bërë identitet i kësaj shoqërie. Prej pas luftës kemi pasur polarizime të kohëpaskohshme, konfrontime, por është e parë që në mënyrë sistematike subjekti më i madh politik orkestron fushata denigruese për njerëzit e Kosovës. Njerëzit e saj, gjuha e tyre, fyerje, linçime. Jemi në një situatë shumë të rëndë”, ka deklaruar Arifi. 

Arifi ka vlerësuar se vendi ndodhet në një situatë të rënduar në sektorin e energjisë, duke paralajmëruar për rrezik dhe humbje të mundësive zhvillimore në këtë fushë.

“Unë mundem me kuptu partinë në pushtet sepse pas 6 vitesh nuk ka çka me tregu, nuk ka progres, nuk ka projekte, asnjë projekt të madh infrastrukturore nuk e ka. Jemi buzë kolapsit energjetik, i kemi humbur të gjitha shanset energjetike si Kosovë. Tash e kemi humbur edhe parkun solar, është shtyrë për dy vjet. Pra çka me fol për energji jemi keq, për aspektin e sigurisë, tash po shpiket xhandarmëria me u bë, sikur para 6 vitesh kur thoshte kemi me e bë rekrutimin me kriju ushtri të rregullt”, ka thënë Avni Arifi në RTK Prime. 

Arifi ka vazhduar duke thënë se, sipas tij, vendi po qarkullon në të njëjtin model politik dhe po mbetet prapa vendeve të rajonit, duke vlerësuar se Kosova po dobëson aleancat ndërkombëtare.

“Jemi duke u sjell në një cirkull që është bukur qesharak, që i shërben mbajtjes së një lidershipi, një populizmi të kotë që i bën dëm këtij vendi, kurse jemi tu e humb hapin, të gjitha vendet në rajon janë duke na kaluar, kurse ne aleancat i kemi dobësu. Sot për sot qeveria e Kosovës të vetmin aleat e ka Mickoskin dhe socialistët grekë, ndërsa aleancat e Kosovës janë tu ra për tokë”, ka thënë mes tjerash kandidati për deputet nga AAK, Avni Arifi. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram