Përfaqësuesi i PDK-së, Artan Behrami, ka vlerësuar se polarizimi politik në vend është theksuar gjatë viteve të fundit, duke shtuar se fushata zgjedhore duhet të përqendrohet në debate programore dhe ide politike.
Behrami tha në RTK Prime se polarizimi në shoqëri është rritur në gjashtë vitet e fundit. “Po në fakt këtë polarizimin në shoqërinë tonë e kemi në këto gjashtë vite kogja shumë të theksuar e cila në masë të madhe është e fabrikuar prej partive politike dhe sidomos prej partisë në pushtet”, tha Behrami.
Ai deklaroi se, sipas tij, krijimi i ndjenjës së frikës ndikon edhe në funksionimin demokratik.
“Ky polarizim në një anë i shërben si me thënë edhe qeverisë e cila prej fillimit është munduar me injektuar këtë idenë e frikës sepse përmes frikës ti në një farë forme suspendon edhe demokracinë, suspendon edhe logjikën, edhe mendimin kritik”, u shpreh ai.
Behrami tha se PDK-ja është përpjekur të ndjekë një qasje tjetër gjatë proceseve zgjedhore. “Partia Demokratike e Kosovës në këto tri palë zgjedhje, në pesë palë zgjedhje edhe nëpër komuna, është munduar që të udhëheqë një fushatë depolarizuese. Pra, një fushatë përbashkuese”, deklaroi ai.
Ai tha se zgjedhjet duhet të shërbejnë për debat politik dhe programor mes partive. “Unë shpresoj që të paktën në këto zgjedhje do të kemi ballafaqim politik dhe programor”, tha Behrami.
Sipas tij, qytetarët presin nga partitë politike që të ofrojnë alternativa konkrete. “Qytetarët e Kosovës tashmë ia kanë bërë borxh edhe partitë politike ia kanë borxh një ballafaqim edhe politik, edhe ideor, edhe programor”, u shpreh ai.
Behrami tha se gjatë periudhës së fundit janë vërejtur sulme dhe ofendime në diskursin publik. “Po fyen heronjtë, po fyen çlirimtarët, po fyen njerëz të cilët kanë kontribuar në këtë liri dhe në këtë pavarësi dhe nuk po kursehen as familjet më të shenjta të kombit shqiptar”, deklaroi ai.
Në fund, ai bëri thirrje që fushata të orientohet te programet dhe zgjidhjet për qytetarët. “Qytetarët presin nga partitë politike që të kemi program, që të kemi ide dhe të kemi zgjedhje për të gjitha problemet dhe sfidat që ata i kanë”, tha Behrami.

