Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, në dy raste të ndara në rajonin e Pejës.
Sipas policisë, rasti i parë ka ndodhur më 19 maj 2026 rreth orës 18:50 në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë, ku gjatë patrullimit njësia policore ka ndaluar një person të dyshuar. Gjatë kontrollit në çantën e tij të krahut janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar po të njëjtën ditë rreth orës 22:50 në fshatin Banjë të Istogut. Patrulla policore, gjatë një pike kontrolli, ka ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit në bagazh ka gjetur një pistoletë me një karikator, shtatë fishekë dhe një sprej OC, të cilat janë sekuestruar.
Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin e shtetit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Sipas policisë, në të dy operacionet janë konfiskuar dy pistoleta, dy karikatorë, njëzet e katër fishekë dhe një sprej OC .

