Dogana e Kosovës ka evidentuar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në pikën kufitare të Jarinjës, gjatë kontrollit të një automjeti me udhëtarë që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë fillimisht kanë pyetur udhëtarin nëse posedonte mallra apo mjete monetare për deklarim, ndërsa ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të raportuar. Megjithatë, pas një kontrolli të detajuar të automjetit dhe sendeve personale, janë gjetur mjete monetare të padeklaruara në vlerë totale prej 10,173.60 euro, të përbëra nga euro dhe dinarë serbë, të fshehura në pjesë të ndryshme të automjetit dhe te vetë personi.
Autoritetet doganore kanë bërë të ditur se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndaj rastit është shqiptuar gjobë administrative dhe procedurat janë përcjellë te njësitë kompetente. Përmes hetuesisë doganore është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, ndërsa shuma e mjeteve monetare mbetet e ndaluar deri në përfundimin e hetimeve.

