Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, ka theksuar se partitë politike pas zgjedhjeve duhet të angazhohen për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit me kohë.
Ambasadori britanik theksoi se pas zgjedhjeve është thelbësore që subjektet politike të bashkëpunojnë për krijimin e një qeverie stabile dhe për të siguruar zgjedhjen me kohë të Presidentit të vendit.
“Kosova shkon drejt zgjedhjeve, do të jetë e rëndësishme që partitë politike të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe më pas të punojnë së bashku për formimin e qeverisë stabile dhe sigurimin e zgjedhjes në kohë të Presidentit. Progresi demokratik i Kosovës varet nga bashkëpunimi, dialogu dhe angazhimi i përbashkët për të ardhmen e vendit”, ka shkruar ambasadori në Facebook.
Pas takimit me kryetarin e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, Hargreaves vlerësoi rolin e tij në politikën e Kosovës dhe zhvillimin institucional të vendit.
“Diskutim i mirë dje me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit… Ramush Haradinaj ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të Kosovës ndër vite, duke kontribuar në zhvillimin demokratik dhe forcimin e institucioneve të vendit”, tha ai.

