Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave gjatë një kontrolli doganor në Zyrën Doganore në Prizren.
Sipas njoftimit, gjatë ekzaminimit të një dërgese të importuar, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje mes deklarimit dhe gjendjes reale të mallit. Malli ishte deklaruar si qirinj, por pas kontrollit fizik është vërtetuar se bëhej fjalë për fishekzjarre.
Dogana bëri të ditur se për mallin në fjalë kërkohet licencë për import të mjeteve plasëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Sipas vlerësimeve preliminare, shmangia e obligimeve doganore dhe tatimore nga deklarimi i gabuar arrin mbi 2 mijë e 500 euro”, thuhet në njoftim.
Për rastin është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave.
Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e deklarimeve të pasakta, mbrojtjen e sigurisë publike dhe garantimin e zbatimit të drejtë të legjislacionit doganor.

