Wednesday, May 20, 2026
HomeGjeopolitikAnalizëMidis BRICS dhe Rusisë: Analizë e strategjisë së Kremlinit për ta mbajtur...

Midis BRICS dhe Rusisë: Analizë e strategjisë së Kremlinit për ta mbajtur Serbinë peng të së kaluarës

Në një intervistë të fundit për rrjetin propagandistik RT Balkan, akademiku dhe politikani veteran rus, Sergei Baburin, shpërfaqi sërish shtyllat kryesore të asaj që Moska e quan “miqësi tradicionale” me Beogradin. Përmes një gjuhe të ngarkuar me tone apokaliptike, Baburin e portretizoi integrimin evropian të Serbisë si një udhëtim drejt “zhdukjes kulturore”, duke ofruar si shpëtim të vetëm “ombrellën bërthamore” të Rusisë dhe rreshtimin krah bllokut të BRICS. Megjithatë, pas fasadës së kujdesit për “shpirtin serb”, fshihet një strategji e mirëfilltë e Kremlinit: mbajtja e Serbisë si një vatër e përhershme tensioni në Ballkan, e izoluar nga fqinjët dhe e lidhur pas dëshirave gjeopolitike të Moskës.

Një nga deklaratat më absurde të Baburinit është premtimi se Rusia mund të garantojë sigurinë dhe sovranitetin e Serbisë, pavarësisht mungesës së kufijve të drejtpërdrejtë, duke përmendur madje edhe mbrojtjen bërthamore.

Serbia është një shtet plotësisht i rrethuar nga vende anëtare të NATO-s ose vende që synojnë integrimin euro-atlantik. Në rast të një krize reale, Moska nuk ka asnjë mundësi fizike, logjistike apo ushtarake për të ndihmuar Serbinë pa shkelur hapësirën ajrore të Aleancës Veriatlantike.

Përmendja e armëve bërthamore për një rajon si Ballkani nuk është shenjë mbrojtjeje, por një përpjekje e dëshpëruar për të projektuar fuqi në një territor ku ndikimi ushtarak real i Rusisë ka rënë ndjeshëm, veçanërisht pas izolimit të saj ndërkombëtar nga lufta në Ukrainë.

BRICS dhe SCO si alternativa imagjinare ekonomike

Baburin sugjeron se Serbia duhet t’i kthejë shpinën Bashkimit Evropian për t’u bërë pjesë e BRICS ose Organizatës së Shangait (SCO). Kjo narrativë injoron qëllimisht numrat dhe realitetin e përditshëm të qytetarëve serbë.

Mbi 60% e tregtisë së jashtme të Serbisë dhe pjesa dërrmuese e investimeve të huaja direkte vijnë nga vendet e BE-së.

BRICS (ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut etj.) ofron aleanca politike, por gjeografikisht dhe ekonomikisht nuk mund të zëvendësojë tregun unik evropian, nga i cili varet mbijetesa ekonomike e Beogradit. Të kërkosh që Serbia të braktisë BE-në për BRICS është si t’i kërkosh një biznesi të ndërpresë lidhjet me klientët e tij të parë në lagje për të pritur blerës nga një kontinent tjetër.

Përdorimi i Kosovës si “Bosht i Ndalimit”

Për Kremlinin, çështja e Kosovës nuk është një çështje e të drejtave të popullatës serbe apo e historisë, por një instrument i pastër politik. Baburin e quan Kosovën “boshtin e qytetërimit serb” vetëm për të ngritur temperaturën emocionale.

Duke e kushtëzuar të ardhmen e Serbisë me një status-kuo të ngrirë në Kosovë, Rusia sigurohet që Beogradi të mos bëjë kurrë përpara.

Një Serbi që zgjidh problemet me fqinjët dhe pranon realitetin gjeopolitik është një Serbi që nuk ka më nevojë për veton e Rusisë në OKB. Prandaj, propaganda ruse insiston se lëvizja drejt paqes është “heqje dorë nga vetvetja”.

Lufta Kulturore: Shpikja e “Evropoidëve” pa identitet

Në mungesë të argumenteve të forta ekonomike, Baburin kalon në sferën e teorive të konspiracionit dhe luftës kulturore, duke pretenduar se BE-ja po i kthen njerëzit në “evropoidë” pa vlera morale dhe biblike.

Ky është një manipulim klasik i ndjenjave konservatore dhe fetare. Integrimi në BE nuk ka zhdukur identitetin e francezëve, gjermanëve apo grekëve (të cilët ndajnë të njëjtin besim ortodoks me serbët).

Rusia përpiqet ta shesë veten si “Kështjella e fundit e vlerave tradicionale”, duke fshehur faktin se pas kësaj retorike qëndron një regjim autoritar që shtyp liritë elementare të njeriut.

Deklaratat e Sergei Baburinit në RT Balkan janë një rikujtesë e qartë se Rusia nuk e sheh Serbinë si një partner sovran, por si një vegël në shahu e saj gjeopolitik kundër Perëndimit. Thirrja për të zgjedhur BRICS dhe për të jetuar nën hijen e kërcënimeve bërthamore është një ftesë për izolim të plotë. Për Serbinë, mbajtja e kokës pas nga skenarët e vitit 1999, siç kërkon Moska, do të thotë të mbetet peng i një të kaluare që po i kushton të ardhmen e saj dhe të gjithë rajonit..Kosovatimes

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram