Dy zyrtarë bankarë janë arrestuar nën dyshimin se kanë ngarkuar një qytetare me kredi prej 25 mijë eurosh pa dijeninë e saj.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, kanë zhvilluar veprime hetimore ndaj dy të dyshuarve.
Policia njofton se i dyshuari i parë, në cilësinë e menaxherit bankar, dyshohet se ka tejkaluar autorizimet ligjore duke liruar mjete në vlerë prej 24 mijë eurosh dhe duke urdhëruar kundërligjshëm të dyshuarin e dytë që të kryejë transaksionet në llogari të dy bizneseve.
I dyshuari i dytë, analist bankar, dyshohet se ka ekzekutuar urdhrin verbal të menaxherit duke transferuar 24 mijë euro nga llogaria e të dëmtuarës, e cila paraprakisht, sipas policisë, ishte ngarkuar me kredi prej 25 mijë eurosh pa dijeninë e saj. Nga 12 mijë euro janë transferuar për secilin biznes.
Sipas policisë, pas këtyre veprimeve kredia në emër të të dëmtuarës është ngarkuar me procedurë përmbarimore dhe më pas është kallëzuar penalisht në Prokurori nga banka, ndonëse, siç thuhet në njoftim, nuk është ofruar asnjë provë që dëshmon realizimin e kredisë në emër të saj.
Të dyshuarit, sipas policisë, me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarës duke e ngarkuar me kredi fiktive dhe përmbarim pa dijeninë e saj.
Ata janë intervistuar në prani të mbrojtësve, ndërsa me aktvendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet për rastin do të vazhdojnë në aspektin financiar, në drejtim të zbardhjes së shumës prej 25 mijë eurosh.

