Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit E.J., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari, në cilësinë e personit zyrtar dhe ndërmjetësuesit të licencuar, dyshohet se “duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij ka tejkaluar kompetencat, duke përpiluar dokumente dhe marrëveshje fiktive ndërmjetësimi”, përmes të cilave dyshohet se ka përfituar për vete ose për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm material të konsiderueshëm.
Rasti lidhet me hetimet disa mujore të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të rastit “Pronat në Prizren”.
“Hetimi ka zbuluar se të dyshuarit kanë përdorur dokumente dhe procedura fiktive për të ndërmjetësuar pronat kadastrale të një personi të ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë disa dekada më parë”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve janë bartur pronësitë e 18 parcelave tokësore në fshatin Lokvicë të Prizrenit, me vlerë rreth një milion euro, duke u shkaktuar dëm material pronarëve ligjorë.
Hetimet po zhvillohen edhe ndaj të dyshuarit V.Z., i cili ndodhet në arrati, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
“V.Z. dyshohet se, duke falsifikuar dokumentet publike dhe në koordinim me E.J., ka lidhur marrëveshje ndërmjetësimi përmes së cilës ka bartur 18 ngastra kadastrale në emër të tij”, thuhet më tej.
Në të njëjtin rast, hetime janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit A.G., nën dyshimin për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria bëri të ditur se në kuadër të rastit janë sekuestruar 14.600 euro, telefona dhe dokumente relevante, ndërsa është lëshuar edhe urdhër për ngrirjen e përkohshme të 18 ngastrave të paluajtshmërive.
“Hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë të përfshirëve dhe mbledhjen e provave të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

