Në një mbledhje komemorative të mbajtur nën patronatin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është nderuar jeta dhe vepra e veprimtarit dhe profesorit Alush Gashi, një prej themeluesve të LDK-së dhe bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova.
Në këtë ceremoni, Abdixhiku e vlerësoi Gashin si një figurë të veçantë të brezit të vështirë të historisë së Kosovës, duke theksuar virtytet e tij personale dhe intelektuale.
“Jemi mbledhur për të nderuar një njeri të madh. Alush Gashi mbetet njeriu i cilësisë, njeriu i arsyes, njeriu i përmbajtjes. Ai kishte një lloj pranie që nuk impononte, por që të qetësonte. Kishte një lloj autoriteti që nuk kërkonte të dëgjohej me forcë, sepse mjaftonte urtësia e tij për ta respektuar. Pikërisht për këtë, dhimbja jonë sot është e heshtur, por është shumë e rëndë”, u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se Gashi i përkiste një gjenerate që ka përjetuar sfida të mëdha historike, ndërsa gjatë fjalës së tij ndau edhe kujtime personale dhe përjetime nga bashkëpunimi me të ndjerin.
Abdixhiku theksoi se kontributi i Alush Gashit në politikën dhe historinë e Kosovës mbetet i rëndësishëm dhe i paharrueshëm, duke e cilësuar si një njeri të urtë dhe me ndikim të qetë, por të thellë në rrethin ku vepronte.
Ish-presidentja, Vjosa Osmani tha se Gashi ishte ndër njerëzit që besonte se shteti nderohet me dije dhe me moral politik.
“Ai ishte ndër njerëzit që besonte se shteti ndërtohet me dije, me durim dhe mbi të gjitha me moral politik. Mori pjesë në procese e takime historike për vendin tonë. Kujtojmë karakterin e tij, qetësinë, besnikërinë ndaj idealeve. Ai ishte nga ata burra që kurrë nuk kërkonin lavdi për veten”, theksoi ajo.
Osmani u shpreh se Alush Gashi nuk do të largohet asnjëherë nga kujtesa jonë.
“Ai nuk do të largohet kurrë nga kujtesa jonë. Do ta kujtojmë përherë profesor Alushin, njeriu që besojë se politika mbi të gjitha duhet t’i shërbejë dinjitetit, e mbi të gjitha Republikës”, tha Osmani.
Bashkëshortja e Alush Gashit, Iliriana Gashi, ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në mbledhjen komemorative duke shtuar se ne jetën e tyre ka pas shumë sfida.
“Falemnderit shokët e Alushit. Po du e mi falenderu më së shumti ata të cilët Alushit i kanë ndejt afër në kohëra të vështira. Si u tha deri tash në jetën tonë ka pas shumë sfida, kemi jetuar në kohë sfiduese. Ai nuk është kursyer por ka kaluar nëpër gjëra të vështira”, ka thënë ajo.
Alush Gashi, i cili vdiq disa ditë më parë, ishte ndër themeluesit e strukturave institucionale të LDK-së në vitet ’90 dhe për shumë vite mbeti një nga figurat më të rëndësishme të krahut rugovist në skenën politike kosovare.
Ai dha kontribut të veçantë në proceset politike dhe shtetformuese të Kosovës, ndërsa përveç angazhimit politik, shërbeu edhe si ministër i Shëndetësisë, duke qenë pjesë e institucioneve të vendit në periudha të rëndësishme të pasluftës.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në ora 15:00, në vendlindjen e tij, në varrezat e fshatit Prigodë në Istog, ku familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë do t’i japin lamtumirën e fundit.

