Në kompleksin qeveritar “Prishtina e Re” në Hajvali është inauguruar një objekt i ri për institucionet shtetërore me sipërfaqe prej 4.682 metrash katrorë.
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se objekti është ndërtuar sipas standardeve moderne dhe do të shërbejë për funksionimin e administratës dhe institucioneve shtetërore.
“Ky objekt i plotëson të gjitha standardet, është një objekt modern për të realizuar funksionet e administratës edhe institucioneve shtetërore. Ai përmban hapësira të ndryshme, të hapura, të mbyllura, salla të takimeve, zyra, po ashtu edhe hapësira për arkiv dhe hapësirë mbështetëse teknike”, tha Jagxhiu.
Sipas tij, objekti ka pesë nivele, përfshirë bodrumin, përdhesën dhe tri kate, ndërsa është planifikuar të akomodojë rreth 150 zyrtarë shtetërorë.
“Investimi total që është bërë në këtë ndërtesë është rreth 1.8 milionë euro”, deklaroi ai.
Jagxhiu tha se përmirësimi i kushteve të punës është pjesë e reformës së administratës publike, me qëllim tërheqjen e profesionistëve dhe të rinjve në shërbimin civil.
“Një prej hapave të reformës sonë është që të sigurohemi që administrata publike është një punëdhënës atraktiv. Një prej elementeve që e bën administratën tonë punëdhënës atraktiv janë edhe hapësirat”, tha ai.
Ai bëri të ditur se kompleksi qeveritar “Prishtina e Re” shtrihet në një sipërfaqe prej 4.5 hektarësh, ku planifikohet ndërtimi i gjithsej 11 ndërtesave.
“Kur të përfundojë i tërë kompleksi, do t’i akomodojë rreth 1.800 zyrtarë të shtetit”, tha Jagxhiu.
Sipas tij, deri më tani janë funksionalizuar tri ndërtesa, ndërsa edhe tri të tjera pritet të përfundojnë deri në fund të muajit gusht.
Ndërkaq, drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara (AMIK), Emin Hoxha, falënderoi institucionet për sigurimin e hapësirave të reja për këtë agjenci.
“Është shumë e rëndësishme që zyrtarët e AMIK-ut të jenë në hapësira të sigurta ku ruhet dhe administrohet informacioni i klasifikuar në mënyrë të sigurt dhe t’i përgjigjen kërkesave tona ligjore në raport me mbrojtjen, qarkullimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar”, tha Hoxha.
Ai tha se hapësirat e reja janë të rëndësishme edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.
“Veçse kemi filluar disa iniciativa për arritjen e marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë”, u shpreh Hoxha.

