Një burrë ka humbur jetën pasi ka rënë nga një kat i një objekti që ishte në ndërtim e sipër në Vushtrri, ka konfirmuar policia.
Fillimisht, ai kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe ishte dërguar për trajtim në emergjencën e spitalit në Vushtrri, por më pas është konfirmuar se nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
“Nga emergjenca e spitalit të Vushtrrisë është konfirmuar se si pasojë e lëndimeve të pësuara, personi ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e fundit.
Sipas policisë, rasti është raportuar gjatë ditës së sotme, ndërsa njësitë përkatëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi, ka bërë të ditur, për RTKlive, se hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit kanë nisur.
“Policia në Vushtrri ka pranuar informatën se një person i gjinisë mashkullore ka rënë nga një kat i një ndërtese që është në ndërtim e sipër. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar me veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit”, ka deklaruar Prekazi.
Rasti mbetet nën hetime.

